Politike

Njohja e Kosovës nga Kenia/ MPJD i reagon Serbisë: Dëshmi se nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve! Po shpërfillen zotimet ndaj BE-së

Ministria më tej e cilësoi si një veprim të papranueshëm deklaratën e Serbisë, duke theksuar se Serbia po vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin në rrugën drejt integrimit ndërkombëtarë.

27 Mars 2025, 12:32 Nga N.F
Njohja e Kosovës nga Kenia/ MPJD i reagon Serbisë: Dëshmi se nuk
Foto ilustruese

KOSOVË- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, MPJD ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila kundërshtoi vendimin e Republikës së Kenias për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në reagim ministria thekson se kjo është një tjetër dëshmi që Serbia nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë, duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,” thuhet në reagim.

Ministria më tej e cilësoi si një veprim të papranueshëm deklaratën e Serbisë, duke theksuar se Serbia po vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin në rrugën drejt integrimit ndërkombëtarë.

Sipas tyre ky veprim është një vazhdim i sjelljeve të Serbisë, e cila ka shpërfillur vazhdimisht zotimet e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ashtu siç parashikohet në kuadër të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve nga Bashkimi Evropian.

“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”, thuhet në reagim.

kosova serbia kenia

Sondazh

Poll