Politike

"Masat e BE-së duhet të hiqen menjëherë", ish-ambasadori Bosch: Serbia nuk zbaton marrëveshjet, Kosova nuk duhet të lëshojë pe

Sipas tij Serbia duhet të dorëzojë diçka konkrete, ose të ketë një marrëveshje të detyrueshme, ku të përcaktohet qartë ‘nëse bëni këtë, ne do të bëjmë atë’. Ish-ambasadori holandez shtoi se çështja është e tillë që duhet të bëjë diçka njëra palë dhe më pas të shpresohet që pala tjetër mund të bëjë gjithashtu diçka.

22 Mars 2025, 20:49 Nga N.F
"Masat e BE-së duhet të hiqen menjëherë",
Robert Bosch

KOSOVË- Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch në një intervistë të zhvilluar së fundmi është shprehur se është e çuditshme që t’i kërkohet Kosovës të bëjë hapa përpara ndërkohë që Serbia nuk zbaton marrëveshjet. Ai shtoi se nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin.

Sipas tij Serbia duhet të dorëzojë diçka konkrete, ose të ketë një marrëveshje të detyrueshme, ku të përcaktohet qartë ‘nëse bëni këtë, ne do të bëjmë atë’. Ish-ambasadori holandez shtoi se çështja është e tillë që duhet të bëjë diçka njëra palë dhe më pas të shpresohet që pala tjetër mund të bëjë gjithashtu diçka. Bosch tha se përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë do të jetë sfidë për cilindo që do ta drejtojë ekzekutivin.

“Sfida kryesore për një qeveri të re, cilado qoftë ajo, që ende nuk e dimë, sigurisht është përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Ky është problemi kryesor, të paktën në sytë e ndërkombëtarëve. Me qeverinë e re në Shtetet e Bashkuara, kjo është edhe më e rëndësishme, sepse duket se qeveria e re në SHBA do të jetë më miqësore ndaj Serbisë.

Qeveria e re në SHBA nuk duket e interesuar për demokracinë, por më shumë për liderët autoritarë, të cilët mund të bëjnë çfarë të duan dhe të injorojnë vullnetin e popullit, ashtu siç po ndodh në Serbi në një mënyrë ekstreme, ku, siç e dinë të gjithë, po ndodhin protesta dhe sigurisht qeverisë nuk i intereson. Atyre ndoshta i intereson, por nuk reagojnë në mënyrë pozitive. Ky është një problem edhe për Kosovën, sepse nëse ata preferojnë regjime si ai i Vuçiqit në Serbi, kjo do të jetë negative për Kosovën”, tha ai për KosovaPress.

Bosch ka folur edhe për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, për të cilat thotë se duhet hequr menjëherë.

“Masat evropiane ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë, sepse ato nuk është dashur të vendoseshin që në fillim. Nuk ka asnjë arsye për to. Arsyeja e pretenduar është moszbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por Serbia nuk ka zbatuar asgjë. Pse duhet që ju të ndëshkoheni për këtë? Dhe ata dëshirojnë që ju ta bëni hapin e parë. Dhe sigurisht, Serbia nuk do të jep asgjë në këmbim. Prandaj, Serbia duhet të bëjë disa hapa të parë, pastaj ndoshta mund të bëni ju”, thotë ai.

 

robert bosch kosova serbia

Sondazh

Poll