18 Mars 2025, 07:43
Nga M.B
Foto ilustruese
KAUKAZ- Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik mbi tri dekada më parë, fqinjët rivalë në Kaukazin Jugor, Armenia dhe Azerbajxhani, kanë zhvilluar dy luftëra që kanë vrarë dhjetëra mijëra persona dhe kanë zhvendosur qindra mijëra të tjerë. Tani, udhëheqësit e tyre duket se po përgatiten të nënshkruajnë një traktat për paqe që synon t’i japë fund armiqësive mbi rajonin e Azerbajxhanit, të banuar me armenë, Nagorno-Karabak, që Bakuja e rimori nga separatistët armenë në shtator të vitit 2023, pas një ofensive të shpejtë.
“Ky njoftim sinjalizon një mundësi reale për të finalizuar dhe nënshkruar traktatin dypalësh, që është pritur për një kohë të gjatë”, tha Richard Giragosian, kreu i Qendrës për Studime Rajonale, institut i pavarur në Jerevan.
Bakuja dhe Jerevani njoftuan javën e kaluar se kanë finalizuar tekstin e marrëveshjes historike të paqes, edhe pse ende mbetet e paqartë se kur udhëheqësit e dy shteteve do ta nënshkruajnë atë. Marrëveshja po shihet si një arritje e madhe për t’i dhënë fund konfliktit rraskapitës në rajonin ku Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian, Turqia dhe Irani po garojnë për ndikim.
Sipas marrëveshjes, dy fqinjët do të vendosin raporte formale, me Jerevanin që do të njohë sovranitetin e Azerbajxhanit mbi Karabak, pasi ka rezistuar që të bëjë një gjë të tillë që nga viti 1991. Dy palët thuhet se kanë rënë dakord për çështjen e ndjeshme të heqjes së një reference nga Kushtetuta e Armenisë për deklaratën e saj të pavarësisë më 1991, që mbështet pretendimet territoriale të Jerevanit mbi rajonin e Karabakut.
Por, ndryshimi i Kushtetutës armene do të kërkojë mbajtjen e një referendumi kombëtar që potencialisht mund të vonojë përmbylljen e marrëveshjes. Giragosian argumentoi se në mungesë të ndonjë mospajtimi të minutave të fundit, marrëveshja “ofron një mundësi për të kapërcyer ngërçin diplomatik mes Armenisë dhe Azerbajxhanit”.
Ai tha se ndryshimet kushtetuese nuk mund të zbatohen para qershorit të vitit të ardhshëm. Disa analistë e kanë parë çështjen si një pengesë të mundshme. Analisti politik azerbajxhanas, Rauf Mirgadirov, tha se ky afat kohor ka gjasa të pengojë që marrëveshja e paqes të materializohet shpejt.
“Nëse dokumenti nuk garanton njohjen e ndërsjellë të integritetit territorial, atëherë nuk është një marrëveshje e vërtetë e paqes, pavarësisht se si quhet”, tha Mirgadirov.
Ai tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes “kërkon njohjen pa kushte të integritetit territorial të njëri-tjetrit”. Lajmi për marrëveshjen është mirëpritur me optimizëm nga faktori ndërkombëtar. Uashingtoni lavdëroi Bakunë dhe Jerevanin për përmbylljen e bisedimeve për “një traktat historik të paqes”.
“Kjo është një mundësi për të dyja shtetet që të hapin një kapitull të ri në konfliktin e gjatë me dekada, në linjë me vizionin e presidentit [Donald] Trump për një botë më paqësore”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përmes një deklarate më 14 mars.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ky zhvillim “duhet t’i hapë rrugën një paqeje të qëndrueshme në Kaukazin Jugor”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka quajtur marrëveshjen “një hap vendimtar drejt normalizimit të plotë të raporteve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe hapjes së rajonit”. Në Jerevan dhe Baku, banorët kanë shprehur ndjenja të përziera lidhur me marrëveshjen, duke shprehur mosbesim dhe skepticizëm që mjegullojnë shpresat e tyre për paqe dhe fillim të ri.
“Nuk do të ndryshojë asgjë”, tha një burrë në Jerevan, i cili foli për Shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë, por nuk deshi që të identifikohej. “Cila marrëveshje ka qenë ndonjëherë më shumë sesa thjesht fjalë në letër? Pse kjo do të jetë ndryshe?”.
“Nëse aty ka paqe, atëherë kjo është veçse e mirë për njerëzit”, tha një grua tjetër në Jerevan, e cila po ashtu kërkoi që të mos identifikohej. “Nuk do të ketë luftë. Do të jetë më mirë”.
Një grua e moshuar në Baku tha se do të ishte shumë e lumtur nëse marrëveshje prodhon paqe të qëndrueshme.
“Le të mos kenë frikë nënat, le të mos kenë frikë fëmijët”, tha ajo për Shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë. Ndërkaq, një burrë në Baku tha se azerbajxhanasit kanë pak besim në zotimin e Armenisë për një marrëveshje të paqes.
“Shpresojmë për më të mirën, por është shumë e vështirë”, tha ai./ REL
armenia azerbajxhan
Bota
18 Mars 2025, 07:35
M.B
Mikheil Saakashvili
GJERORGJIA- Një gjykatë në Tbilisi e ka shpallur fajtor ish-presidentin e burgosur të Gjeorgjisë Mikhei...
Bota
17 Mars 2025, 22:52
N.F
Peter Limbourg
GJERMANI- Drejtori i Përgjithshëm i DW, Peter Limbourg, shprehu keqardhje për vendimin e Shtëpisë së Bardh&eum...
Bota
17 Mars 2025, 22:31
E. D
Emmanuel Macron
FRANCË- Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Donald Trump është angazhuar për kushtet që Rusia duhet t&...
Bota
17 Mars 2025, 22:26
r.ll
pamje nga kocani
MAQEDONI E VERIUT- Varrezat në Koçan po zgjerohen për shkak të numrit të madh të të vdekurve nga zjar...
Bota
17 Mars 2025, 22:06
E. D
foto ilustruese
SERBI- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është në pozitë të vështirë por a do të ...
Bota
17 Mars 2025, 22:10
A.Ll
Pamje nga Gaza
IZRAEL - Izraeli ka identifikuar "lëvizje të pazakonta në Gaza" dhe beson se Hamasi po përgatitet për një sulm...
Bota
17 Mars 2025, 22:08
r.ll
vladimir putin
BRITANI- Britania e Madhe dhe Franca i kanë kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të provojë se dëshiron nj&e...
Bota
17 Mars 2025, 21:58
r.ll
carolyn levitt
SHBA- Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka deklaruar gjatë një konference p&eum...
Bota
17 Mars 2025, 21:54
N.F
Foto ilustruese
GJEORGJI- Një gjykatë në Tbilisi gjeti fajtor ish-presidentin e burgosur, Mikheil Saakashvili, për kalim të paligj...
Bota
17 Mars 2025, 21:40
E. D
foto ilustruese
GREQI- Tre nga të plagosurit e Koçanit janë dërguar me helikopter në Athinë për mjekim më të...