Bota

Komisionerja europiane: BE është e gatshme t'i ofrojë Maqedonisë së Veriut mbështetje në përballjen me pasojat e tragjedisë në Koçan

Të paktën 59 persona kanë humbur jetën nga tragjedia në Koçan nga zjarri që shpërtheu gjatë një koncerti të një grupi të famshëm maqedonas dhe 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

16 Mars 2025, 18:06 Nga r.ll
Komisionerja europiane: BE është e gatshme t'i ofrojë
komisonerja hadja labib

BRUKSEL- Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në përballjen me pasojat e zjarrit në klubin e natës në Koçan. Këtë e ka deklaruar përmes një postimi në "X", komisionerja Evropiane për Barazi, Gatishmëri dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Labib. Ajo shprehu keqardhje për viktimat dhe solidaritet me Maqedoninë e Veriut.

“Tragjedi në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku një zjarr katastrofik në një klub nate ka sjellë një numër të madh viktimash dhe të plagosur. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe ekipet e emergjencës. BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje. Qëndrojmë në solidaritet me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Labib përmes një postimi në rrjetin "X".

Të paktën 59 persona kanë humbur jetën nga tragjedia në Koçan nga zjarri që shpërtheu gjatë një koncerti të një grupi të famshëm maqedonas dhe 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në një mbledhje të jashtëzakonshme qeveria maqedonase shpalli zyrtarisht 7 ditë zie në të gjithë vendin.

Po ashtu ka ngarkuar Inspektoratin Shtetëror të Tregut që në tre ditët e ardhshme në territorin e Republikës së Maqedonisë të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë (kabare, klub nate, etj) dhe menjëherë ta njoftojë Qeverinë për konstatimet e inspektimit, në mënyrë që të përcaktojë gjendjen dhe kushtet sipas rregullores dhe akteve të tyre vendi.

Qeveria ka miratuar një vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare. Njëkohësisht, qeveria maqedonase ka bërë me dije për qytetarët se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse për zbardhjen e plotë të rastit, po mblidhen provat materiale dhe se të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje tragjike dhe që me vetëdije kanë kontribuar në rrezikimin e jetëve njerëzore do të sillen para organeve të drejtësisë dhe do të mbajnë përgjegjësi.

hadja labib tragjedia ne kocan

Sondazh

Poll