Aktualitet

Hirësi Joani u zgjodh Kryepeshkopi i ri, Kisha Ortodokse: Kontribuoi përkrah Anastasit në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë

Në njoftim theksohet se kryepeshkopi i porsazgjedhur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepiskop Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vite si Mitropolit i Korçës.

16 Mars 2025, 13:35 Nga N.F
Hirësi Joani u zgjodh Kryepeshkopi i ri, Kisha Ortodokse: Kontribuoi
Foto ilustruese

TIRANË- Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar së fundmi pas zgjedhjes së kryepeshkopit të ri. Kisha Ortodokse thekson se sot në përputhje me Traditën e Shenjtë u mbajt në Qendrën Sinodike në Tiranë mbledhja e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me qëllim zgjedhjen e Kryepiskopit të ri.

Kisha shton se anëtarët e Sinodit të Shenjtë me vota unanime zgjodhën njëzëri pasuesin e të ndjerit Kryepiskopit Anastas, Hirësinë e tij Joani. Në njoftim theksohet se kryepeshkopi i porsazgjedhur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepeshkop Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vite si Mitropolit i Korçës.

Sipas tyre Imzot Joani është dalluar për kontributin në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës. Më tej bëhet me dije se ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepiskopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë.

Njoftimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë:


Sot, më 16 mars 2025, të dielën e dytë të Kreshmës, kushtuar Shën Grigor Palamait, pas Liturgjisë Hyjnore dhe në përputhje me Traditën e Shenjtë dhe Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u mbajt në Qendrën Sinodike në Tiranë mbledhja e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me qëllim zgjedhjen e Kryepiskopit të ri. Pas lutjes, anëtarët e Sinodit të Shenjtë, nën kryesinë e Mbikëqyrësit të Fronit Kryepiskopal, Hirësisë së tij Mitropolitit të Korçës Imzot Joanit, me vota kanonike në mënyrë unanime zgjodhën njëzëri pasuesin e të ndjerit Kryepiskopit Anastas.

Hirësia e tij Mitropoliti i Korçës Imzot Joani u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Më pas, në Katedralen e “Ngjalljes së Krishtit”, u zhvillua ceremonia e Mesazhit të Madh, ku Sinodi i Shenjtë njoftoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjes të nënshkruar nga të gjithë Kryepriftërinjtë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropolitët e Korçës, Gjirokastrës, Apolonisë, Elbasanit, Beratit, Amantias dhe Episkopi i Krujës. Besimtarët orthodhoks që kishin mbushur katedralen dhe oborrin e saj, në një atmosferë gëzimi dhe lavdërimi ndaj Zotit, thirrën “Aksios” (I Denjë) për Primatin e ri të Kishës së Shqipërisë. Në vijim Kryepiskopi i ri Imzot Joani lexoi Mesazhin e Madh dhe e nënshkroi atë në Tryezën e Shenjtë, duke konfirmuar zyrtarisht pranimin e detyrës së lartë.

Kryepiskopi i porsazgjedhur Imzot Joani ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepiskop Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vite si Mitropolit i Korçës. Ai është dalluar për veprën e tij baritore dhe kontributin në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës. I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepiskopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë. Që nga viti 1993 ka shërbyer si profesor në Akademinë Teologjike të Durrësit, përkthyes i shumë teksteve teologjike dhe autor i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Ai themeloi revistën “Tempulli”, përfaqësoi Kishën në takime ndërortodokse dhe ndërkristiane dhe është nderuar me tituj të spikatur për kontributin e tij në kulturë, arsim dhe dialog ndërfetar.

kisha ortodokse

Sondazh

Poll

Aktualitet 16 Mars 2025, 13:25 N.F

Tendenca, ushqime të gatshme në punë

Foto ilustruese TIRANË- Një jetesë më dinamike po orienton shqiptarët drejt zgjidhjeve praktike dhe këtu nuk bëjnë ...