Politike

Kurti takim me koordinatoren e OKB-së në Kosovë, u diskutua mbi rëndësinë e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryeministria njoftoi se Kurti vlerësoi kontributin e OKB-së në zhvillimin e vendit dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimit që askush mos të lihet prapa, duke vendosur drejtësinë sociale në qendër të politikave shtetërore.

7 Mars 2025, 18:05 Nga N.F
Kurti takim me koordinatoren e OKB-së në Kosovë, u diskutua mbi
Takimi

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim ditën e sotme koordinatoren e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence. Gjatë takimit mësohet se ata kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qeveritare dhe agjencive të OKB-së.

Kryeministria njoftoi se Kurti vlerësoi kontributin e OKB-së në zhvillimin e vendit dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimit që askush mos të lihet prapa, duke vendosur drejtësinë sociale në qendër të politikave shtetërore.

“Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit të kësaj çështjeje si krim lufte dhe detyrimin për të garantuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për të mbijetuarat. Po ashtu, u trajtua çështja e verifikimit të diplomave, ku Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të Komisionit për këtë proces të rëndësishëm, duke siguruar që çdo qytetar të ketë mundësinë e barabartë për të ushtruar të drejtat e tij akademike dhe profesionale”, thuhet në komunikatë.

Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në administratën publike në çdo cep të vendit, një prioritet i Qeverisë së Kosovës në rrugën e modernizimit të institucioneve shtetërore.

Qeveria e Kosovës tha se ka mundësuar mekanizma ligjorë për bashkëpunimin e rregulluar dhe efektiv me agjencitë e OKB-së në vend, duke thelluar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

kurti arnhild spence kosova okb

Sondazh

Poll