Bota

"Trump po nxit inflacionin në SHBA", prodhuesit gjermanë të automjeteve: Tarifat 25% për makinat e importuara do të godasin drejtpërdrejtë konsumatorët amerikanë

Shoqata Gjermane e Prodhuesve të Automobilave, VDA u shpreh se tarifat do t'i bëjnë produktet më të shtrenjta për klientët në SHBA.

19 Shkurt 2025, 20:50 Nga N.F
"Trump po nxit inflacionin në SHBA", prodhuesit gjermanë
Trump

GJERMANI- Prodhuesit gjermanë të automjeteve paralajmëruan sot se plani i presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa prej rreth 25% për makinat e importuara do të godasë drejtpërdrejt konsumatorët amerikanë. Shoqata Gjermane e Prodhuesve të Automobilave, VDA u shpreh se tarifat do t'i bëjnë produktet më të shtrenjta për klientët në SHBA.

Industria e automjeteve është e shqetësuar për rrezikun e inflacionit në rast të një lufte tregtare ndërsa theksoi se Donald Trump po nxit inflacionin në SHBA. Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka përdorur tarifat si mjetin e tij kryesor të politikës për të reduktuar deficitin e konsiderueshëm tregtar të SHBA-së.

Ai vendosi tarifa për çelikun dhe aluminin, për të gjithë partnerët tregtarë të vendit dhe njoftoi vendosjen e tarifave "reciproke" për produktet e importuara. Dje ai tha se do të vazhdojë këtë politikë, këtë herë në sektorin e automobilave, gjysmëpërçuesve dhe farmaceutikës. Tatimi për makinat evropiane të importuara në SHBA aktualisht arrin në 2.5%.

Prodhuesit gjermanë të automjeteve Volkswagen, BMW dhe Mercedes prodhojnë gjithashtu automjete në SHBA, një nga tregjet e tyre më të rëndësishme, por në të njëjtën kohë ata vazhdojnë të eksportojnë makina të prodhuara në Evropë në atë vend.

Rritja e tarifave mund të dëmtojë shitjet e tyre, të cilat tashmë po vuajnë për shkak të uljes së dërgesave në Kinë, ku duhet të konkurrojnë me prodhimin vendas dhe për shkak të kërkesës së ulët për makina elektrike. SHBA është partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë, i cili në vitin 2024 shënoi një suficit tregtar rekord me këtë vend.

trump

Sondazh

Poll