Bota

Zbulohen dy varre masive në Libi, gjenden të groposur 93 trupa

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin më pas raportoi zbulimin e një varri të dytë masiv në Jihara, ku ishin gjetur 19 trupa, dhe IOM theksoi se ai në Kufra mund të përmbajë deri në 70 mbetje.

19 Shkurt 2025, 19:51 Nga E. D
Zbulohen dy varre masive në Libi, gjenden të groposur 93 trupa
foto ilustruese

LIBI- Dy varre masive janë zbuluara së fundmi në Libi gjatë operacioneve të forcave të sigurisë kundër rrjeteve të paligjshme të trafikimit të qenieve njerëzore. Gjithashtu në varret masive janë gjetur 93 trupa. 

“Zbulimi shqetësues dhe tragjik i varreve masive pas bastisjeve në vendet e trafikimit të qenieve njerëzore nxjerr në pah rrezikun e madh me të cilin përballen emigrantët në Libi. Më 7 shkurt, një varr masiv u zbulua në një fermë në rajonin Jihara në verilindje të Libisë, dhe të nesërmen u zbulua një varr masiv në qytetin Kufra në juglindje. Deri më sot, 93 trupa janë zhvarrosur në Xhihara dhe Kufra," tha në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike, Rosemary DiCarlo.

Dhjetë ditë më parë, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Libisë njoftoi se 28 trupa emigrantësh nga Afrika Sub-Sahariane u gjetën në një varr masiv të zbuluar në rajonin e Kufras gjatë një operacioni në një vend të pushtuar nga një rrjet kontrabandistësh. 

Gjithashtu një hetim zbuloi ekzistencën e një bande, anëtarët e së cilës rrëmbyen emigrantë dhe më pas i torturuan dhe i nënshtruan trajtimeve mizore, degraduese dhe çnjerëzore. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin më pas raportoi zbulimin e një varri të dytë masiv në Jihara, ku ishin gjetur 19 trupa, dhe IOM theksoi se ai në Kufra mund të përmbajë deri në 70 mbetje.

Rreth 300 kilometra larg brigjeve italiane, Libia, e cila u zhyt në kaos pas përmbysjes së regjimit të kolonelit Muammar Gaddafi në vitin 2011, u bë gradualisht një qendër për migrimin e parregullt drejt Evropës nëpërmjet Mesdheut. Në vend ekzistojnë dy qeveri, një në atë perëndimore dhe një në atë lindore. Qeveria e Pajtimit Kombëtar e njohur ndërkombëtarisht, me qendër në Tripoli, mori pushtetin përmes një procesi të mbështetur nga Kombet e Bashkuara në vitin 2021, por parlamenti në pjesën lindore të vendit nuk e ka njohur atë për vite me rradhë. Forca dominuese në pjesën lindore është Field Marshall Khalifa Haftar.

Dhjetëra mijëra emigrantë nga Afrika Sub-Sahariane, duke kaluar Libinë në përpjekje për të arritur në Evropë, po bien viktima të kontrabandistëve. Zbulimi i këtyre varreve masive është një kujtesë e re e nevojës urgjente për të mbrojtur emigrantët dhe për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. 

libi varr masiv

Sondazh

Poll