Bota

Edhe mercenarët kubanë luftojnë për Rusinë në Ukrainë, flasin personat e kapur: U mashtruam, na premtuan punë në ndërtim!

Një tregues i rëndësishëm për shkallën e përfshirjes së kubanëve në luftë u shfaq vetëm disa ditë pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme kubane, kur një dokument i hakuar zbuloi rreth 200 kubanë që shërbenin në ushtrinë ruse, të pozicionuar fillimisht në rajonin Tulla në jug të Moskës.

18 Shkurt 2025, 18:16 Nga N.F
Edhe mercenarët kubanë luftojnë për Rusinë në
Mercenarë

UKRAINË-  Në një dhomë larg vijës së frontit në Ukrainën qendrore, një burrë kuban, i veshur me rroba ushtarake ruse, buzëqesh dhe i bie tavolinës. Por, humori i tij venitet shpejt. Frank Dario Jarrosay Manfuga, 36 vjeç, iu bashkua ushtrisë ruse në janar të vitit 2024. Në mars u kap nga forcat ukrainase dhe tani shpreson të gjejë një rrugëdalje nga situata e dëshpëruar.

“Unë nuk kam dashur kurrë të vras dikë. Nuk kam dashur kurrë të marr pjesë në luftë. Kam familje”, thotë Manfuga. Ai shton se është mashtruar kur i është premtuar punë në ndërtimtari në Rusi.

“Ndoshta mund të më shpëtojë ndonjë organizatë”, thotë ai, duke shtuar se nuk dëshiron të kthehet në Rusi, e as në Kubë.

Pretendimi i Manfugas se është mashtruar nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Ish-mësimdhënësi i Gjeografisë, i cili më vonë u bë muzikant profesionist për t’i shtuar të ardhurat e tij, tani është mercenar i kapur. Intervista e tij për Skemat - njësinë hulumtuese të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë - u organizua përmes kontakteve me ushtrinë e Ukrainës, e cila është e etur të tregojë se si Rusia i ka zgjeruar kërkimet për ushtarë të huaj, për të vazhduar pushtimin e saj. Në rastin e Manfugas, kërkimet u bënë më shumë se 9.500 kilometra nga Moska.

“Bazuar në pasaportat e marra nga hakerët ukrainas, informacionet tona nga Kuba, videot e shumta që kemi parë dhe raportet për disa kubanë të vrarë në luftime, ne mund të vlerësojmë se rreth 5.000 ushtarë kubanë janë duke luftuar për Rusinë”, thotë Orlando Gutierrez-Boronat, bashkëthemelues i Drejtorisë Demokratike Kubane, një OJQ me bazë në SHBA, e cila mbështet ndryshimet demokratike në Kubën komuniste.

“Ky rrjet nuk mund të funksiononte pa miratimin e regjimit kuban”, thotë ai për Skemat.

Nëse kjo shifër është e saktë, do të ishte më pak se gjysma e numrit të ushtarëve nga Koreja e Veriut, që raportohet se marrin pjesë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Por, ndryshe nga koreano-veriorët, luftëtarët kubanë në Rusi kanë lënë gjurmë të konsiderueshme në mediat sociale, pasi shumë prej tyre kanë përqafuar hapur militarizmin dhe ideologjinë e Kremlinit, zbulon një hulumtim i Skemave.

Këto postime i ndihmuan gazetarët të identifikonin qindra mercenarë, të gjenin objekte trajnimi të paraportuara më parë me ndihmën e imazheve satelitore, si dhe të zbulonin vendndodhjen dhe natyrën e disa prej aktiviteteve ushtarake të kubanëve në Rusi dhe në territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia.

Ato gjithashtu ngrenë pyetje rreth asaj se si Qeveria pro-ruse e Kubës “është duke punuar për të neutralizuar dhe çmontuar një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore”, siç pretendoi Ministria e saj e Jashtme në shtator të vitit 2023, kur filluan të dilnin provat e kubanëve që luftonin në luftë.

Një tregues i rëndësishëm për shkallën e përfshirjes së kubanëve në luftë u shfaq vetëm disa ditë pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme kubane, kur një dokument i hakuar zbuloi rreth 200 kubanë që shërbenin në ushtrinë ruse, të pozicionuar fillimisht në rajonin Tulla në jug të Moskës.

Kjo u zbulua nga grupi hetimor i fokusuar në Ukrainë, InformNapalm. Që atëherë, gazetarët e Radios Evropa e Lirë gjetën prova të reja për qindra mercenarë të tjerë të supozuar kubanë në rrjetin social rus, VKontakte. Në shumicën e rasteve, llogaritë e tyre u krijuan në vitin 2024 - mësa duket, viti kur ata arritën në Rusi për trajnim, përpara dislokimit./REL

lufta rusi-ukraine

Sondazh

Poll