Politike

"Kanë shpërdoruar taksat e shqiptarëve," Zhupa kërkon shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH: Shkelje të rënda të ligjit, bënë rolin e budallait

Zhupa u shpreh se Këshilli nuk kërkoi për kandidatët zbatimin e ligjit për një dokument nga Autoriteti i Dosjeve nëse kandidatët ishin spiunë apo informatorë të Sigurimit të Shtetit. Ajo shtoi se Këshilli ka shpallur vonesë të pajustifikuar, duke e mbajtur postin vakant prej kohësh.

17 Shkurt 2025, 18:05 Nga N.F
"Kanë shpërdoruar taksat e shqiptarëve," Zhupa
Zhupa

TIRANË- Kryetarja e Komisionit të Mediave, Ina Zhupa ka mbajtur fjalën e sja në seancën e sotme në Kuvend. Zhupa gjatë fjalës së saj lexoi edhe projektvendimin e Komisionit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas gjetjeve të konstatuara në raport dhe abuzimeve të shumta në procedurën e përzgjedhjes së drejtorit.

Zhupa u shpreh se zgjedhja e anëtarëve apo drejtorëve të Këshillit të RTSH-së ishte me shkelje. Ajo shtoi se Alfred Peza u zgjodh me shkelje dhe tani këto shkelje janë konstatuar. Deputetja demokrate theksoi se Këshilli i RTSH ka kryer një sërë shkeljesh për zgjedhjen e drejtorit të ri, që nga përzgjedhja e kandidatëve deri te votimi, si ai online nga Vietnami dhe mbajtur shënim, por e deklaruar votë e fshehtë. 

“Pas 3 vitesh beteje u pa ajo që ne kemi thënë. Edhe mazhoranca u bind tani. Zgjedhja e anëtarëve apo drejtorëve të Këshillit të RTSH-së ishte me shkelje dhe ne e kemi thënë. U zgjodh Alfred Peza me shkelje dhe tani këto shkelje janë konstatuar. Komisioni ynë arriti në këtë përfundim. Këshilli i RTSH ka kryer një sërë shkeljesh për zgjedhjen e drejtorit të ri, që nga përzgjedhja e kandidatëve deri te votimi, si ai online nga Vietnami dhe mbajtur shënim, por e deklaruar votë e fshehtë. Po me këtë pseudovotim të fshehtë vendosën të mos fusin ata që plotësonin kriteret dhe të zbatonin atë që nuk thotë ligji”, tha deputetja.

Ajo renditi disa nga shkeljet më të rënda. Zhupa u shpreh se Këshilli nuk kërkoi për kandidatët zbatimin e ligjit për një dokument nga Autoriteti i Dosjeve nëse kandidatët ishin spiunë apo informatorë të Sigurimit të Shtetit. Ajo shtoi se Këshilli ka shpallur vonesë të pajustifikuar, duke e mbajtur postin vakant prej kohësh. Sipas saj shumica e anëtarëve ishin mpleksur me konflikte interesi në lidhje me detyrën aty.

"Disa kishin punësuar familjarët aty, të tjerë merrnin projekte, teksa ishin anëtar te RTSH., Disa merrnin shpërblime për veten, thua se ishin në tokën e babait dhe jo në Këshill të RTSH. Aty janë abuzuar dhe shpenzuar 23 milionë euro në vit, me qoka, shkarkime, emërime, hiq e vër, me kosto dyfish të mëdha, me gjyqe që fitohen dhe paguhen me paratë e buxhetit të shtetit. Me drejtorë që abuzojnë që janë akuzuar. Mbante vetëm vetëveten dhe nuk i shërbente interesit publik”, u shpreh Zhupa.

Ajo shtoi se në emër të Komisionit dhe kolegëve të saj kërkojnë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të RTSH-së.

“Bëmë dëgjesën atje në Komision dhe na thanë se nuk e dinin ligjin. Na bënin atje rolin e budallait, por në fakt janë njëlloj fajtorë edhe sikur e dinin, edhe nëse nuk e dinin. Ata kanë shpërdoruar taksat e shqiptarëve, ndaj në emër të Komisionit dhe kolegëve, kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të RTSH-së”, përfundoi Zhupa.

ina zhupa keshilli i rtsh

Sondazh

Poll