Bota

Samiti për Ukrainën në Paris, Von der Leyen: Siguria e Evropës është në një pikë kthese, kemi nevojë urgjente për një mënyrë të re të të menduarit

Presidenti francez Emmanuel Macron do të presë një grup udhëheqësish evropianë për bisedime të hënën, përqëndruar tek situata në Ukrainë, mes një ndryshimi në qasjen amerikane ndaj konfliktit dhe sugjerimeve të bëra nga zyrtarë amerikanë, se Evropa nuk do të ketë rol në bisedimet e paqes.

17 Shkurt 2025, 15:34 Nga r.ll
Samiti për Ukrainën në Paris, Von der Leyen: Siguria e
ursula von der leyen

PARIS- "Siguria e Evropës është në një pikë kthese", kështu është shprehur në mesazhin e saj për "X", presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa do të marrin pjesë në takimin jozyrtar të një grupi të vogël liderësh evropianë këtë pasdite në Paris.

“Sapo mbërrita në Paris për bisedime kritike. Siguria e Evropës është në një pikë kthese. Po, bëhet fjalë për Ukrainën, por edhe për ne. Ne kemi nevojë urgjente për një mënyrë të re të të menduarit. Duhet të forcojmë mbrojtjen. Dhe ne kemi nevojë për të dyja tani," thekson von der Leyen.

Antonio Costa thekson se në samitin e sotëm në Paris, nën kryesimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe në prani të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillohen konsultime për situatën në Ukrainë dhe sigurinë e Evropës.

“Ky është fillimi i një procesi që do të vazhdojë me përfshirjen e të gjithë partnerëve të përkushtuar për paqen dhe sigurinë e Evropës. BE-ja dhe vendet anëtare të saj do të luajnë një rol qendror në këtë proces”, thekson Presidenti i Këshillit Europian në një postim në “X”.

Presidenti francez Emmanuel Macron do të presë një grup udhëheqësish evropianë për bisedime të hënën, përqëndruar tek situata në Ukrainë, mes një ndryshimi në qasjen amerikane ndaj konfliktit dhe sugjerimeve të bëra nga zyrtarë amerikanë, se Evropa nuk do të ketë rol në bisedimet e paqes. Në këtë takim pritet të marrin pjesë udhëheqës nga Britania, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Holanda dhe Danimarka.

Po kështu i pranishëm do të jetë edhe shefi i NATO-s Mark Rutte, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, si dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Ditët e fundit udhëheqësit evropianë kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio mbërriti të hënën në Arabinë Saudite për takime, përfshirë bisedimet që priten të martën me diplomatët rusë për përfundimin e luftës në Ukrainë. Në bisedime pritet të marrë pjesë i dërguari i SHBA-ve për Lindjen e Mesme Steve Witkoff si dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz.

samiti per ukrainen ne paris ursula von der leyen

Sondazh

Poll