Politike

Abuzimet me fondet e "SASPAC"/ SPAK dërgon për gjykim Ilir Beqajn dhe 5 të pandehurit e tjerë

Ilir Beqaj u arrestua në datë 4 korrik të vitit 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryhen për abuzimet me fondet e SASPAC

17 Shkurt 2025, 13:00 Nga B.Z
Abuzimet me fondet e "SASPAC"/ SPAK dërgon për gjykim Ilir
Ilir Beqaj

TIRANË - Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ish-Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 5 persona të tjerë të cilët akuzohen për abuzim me fondet e SASPAC. Prokuroria e Posaçme ka ngritur 5 akuza, korrupsion pasiv i zyrtarëve, mashtrim, falsifikim, shkelje e barazisë në tendera dhe fshehje e pasurisë për Beqajn dhe të pandehurit, Ermal Kurtulaj, Bledar Leka, Gazmend Haxhia dhe Mira Topçiu.

Ilir Beqaj është nën hetim pasuror nga SPAK lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC (Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila drejtohej nga Beqaj deri në momentin që ky i fundit u detyrua të japë dorëheqje pasi GJKKO caktoi dy masa sigurie ndaj tij: detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.

Referuar të dhënave të SPAK bëhet me dije se ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) Ilir Beqaj, i cili u arrestua më 4 Korrik, akuzohet për abuzim me fondet e BE-së. Në njoftimin zyrtar të SPAK për arrestimin e Beqajt thuhet se në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SASPAC-ut përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se ka kryer procedura prokurimi fiktive në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj.

Duke zbardhur skemën e abuzimit, SPAK evidenton se për 8 shërbime prokurimi për organizimin e konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”) si dhe “Konferenca e Energjetikës”, organizuar në vitin 2023 procedura ka qenë tërësisht fiktive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar. Në dosje përvec Kurtulajt rezultojnë si të implikuar edhe  Bledar Leka, Gazmend Haxhia dhe Mira Topçiu. Ndërkohë, ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është marrë i pandehur edhe për aferën e sterilizimit, ku akuzohet për vjedhje kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

ilir beqaj saspac

Sondazh

Poll