Politike

Kurti zhvillon takim me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, zbardhen diskutimet mes tyre në Mynih

Në takim është diskutuar për raportin e Kosovës me Serbinë dhe për marrëveshjen e arritur në vitin 2023.

14 Shkurt 2025, 14:43 Nga r.ll
Kurti zhvillon takim me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-
takimi

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me emisarin e ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në takim është diskutuar për raportin e Kosovës me Serbinë dhe për marrëveshjen e arritur në vitin 2023. Ndërkohë kryeministri ka shprehur kërkesat e tij në raport me atë se si duhet të ecet përpara me dialogun. Këto kërkesa përfshijnë nënshkrimin e Marrëveshjes së vitit 2023 nga Serbia, dorëzimin e Radoiçiçit dhe tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiç nga BE-ja.

Në njoftimin e Kryeministrisë lidhur me takimin, thuhet se Kurti ka thënë se është absurde që presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç, por nuk e dorëzon Radoiçiçin. Ky i fundit është personi përgjegjës për sulmin e Banjskës. 

NJOFTIMI I PLOTË: 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi z. Sørensen për pozitën dhe përgjegjësitë e reja, teksa veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile. Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.

Sa i përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja. Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti tha se është absurde që Presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin.

albin kurti peter sorensen

Sondazh

Poll