Politike

"Ka filluar puna për kapjen e Komitetit Olimpik Shqiptar", Kalaja: Rama dhe Fidel Ylli falsifikuan firmat në KOKSH dhe përdorën fondet publike për qëllime politike

Ajo shton se lufta e kryeministrit Edi Rama dhe Fidel Yllit për ta kapur edhe KOKSH-in bëhet për paratë. Sipas saj për të mos patur vonesa apo pengesa në kalimin e milionave Rama dhe Ylli kanë shmangur edhe Thesarin e Shtetit.

14 Shkurt 2025, 14:08 Nga N.F
"Ka filluar puna për kapjen e Komitetit Olimpik Shqiptar",
Kalaja

TIRANË- Kryetarja e Komisionit të Apelimit të PD-së, Adriana Kalaja ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për mediat. Kalaja gjatë fjalës së saj u shpreh se ka nisur puna për kapjen e sportit, konkretisht të Komitetit Olimpik Shqiptar. Kalaja shton se pas konstatimit të falsifikimit të firmave në Mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të KOKSH, Gjykata e Arbitrazhit në Lozanë të Zvicrës vendosi pavlefshmërinë e vendimit të marrë në mbledhjen e Asamblesë dhe heqjen nga regjistri i organizatave si dhe disa masa në lidhje me pagesat. 

Ajo shton se lufta e kryeministrit Edi Rama dhe Fidel Yllit për ta kapur edhe KOKSH-in bëhet për paratë. Sipas saj për të mos patur vonesa apo pengesa në kalimin e milionave Rama dhe Ylli kanë shmangur edhe Thesarin e Shtetit. Kalaja thekson se Rama dhe Fidel Ylli falsifikuan firmat në KOKSH dhe përdorën fondet publike për qëllime politike. Ajo tha se organet e drejtësisë duhet ta hetojnë sa më parë këtë shkelje të ligjit dhe aferë korruptive, duke proceduar gjithë personat përgjegjës.

Deklarata e plotë e Adriana Kalasë: 

Pasi ka kapur të gjitha pushtetet, Kryetari i ‘çetës së babëzisë’ ka filluar punën për kapjen e sportit, konkretisht të Komitetit Olimpik Shqiptar. Për këtë nuk mund të gjendej shërbëtor më besnik se Fidel Ylli, zgjedhja e të cilit si President, u kundërshtua në gjykatë nga ish-Presidenti, Viron Bezhani.

Pas konstatimit të falsifikimit të firmave në Mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të KOKSH, Gjykata e Arbitrazhit në Lozanë të Zvicrës ka vendosur: 1. Pavlefshmërinë e vendimit të marrë në mbledhjen e Asamblesë të datës 10.01.2021. 2. Heqjen nga regjistri i organizatave si dhe disa masa në lidhje me pagesat.

Ashtu siç nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën, nuk njeh as vendimin e Lozanës. Për këtë qëllim e ka dërguar në Gjykatën e Apelit, ku vendimi është shtyrë plot 4 herë. Ndërkohë, Federata Shkollore si dhe Federata Universitare i janë drejtuar MASH, Parlamentit si dhe SPAK për shkeljet ligjore të KOKSH, por asnjë reagim.

Lufta e Ramës dhe Fidelit të tij, me yll në ballë, për ta kapur edhe KOKSH-in, si gjithmonë, bëhet për paratë. Për të mos patur vonesa apo pengesa në kalimin e milionave Rama dhe Ylli kanë shmangur edhe Thesarin e Shtetit. Që në krijim, KOKSH ka patur dy forma të ardhurash për realizimin e veprimtarisë: buxheti i shtetit dhe të ardhurat që vijnë si anëtar i organizatave botërore dhe Europiane të lëvizjes Olimpike.

Sa u përket fondeve të buxhetit të shtetit, që nga krijimi i KOKSH e deri në vitin 2020, kalonin nëpërmjet Thesarit të Shtetit. Të ardhurat nga organizatat ndërkombëtare janë menaxhuar nëpërmjet llogarive rrjedhëse të KOKSH në bankat e nivelit të dytë. Në vitin 2022, me VKM nr.893 datë 27.12.2022, përveç fondeve të akorduara në fillim të këtij viti, KOKSH i akordohet fondi 250,000,000 lekë për projektin ‘Ekipet sportive në shkolla’. Sipas VKM këto fonde kalojnë direkt në llogarinë e KOKSH.

Kjo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Kjo është një mënyrë që qeveria, nëpërmjet Yllit Olimpik të partisë, të përdorë fonde publike për punë politike, të mbushë sallat e takimeve të Ramës, siç ndodhi në takimin me të rinjtë në Pallatin e Koncerteve, që u mbush me fëmijë shkollash, që i nisnin për ekskursion në Tiranë e përfunduan duke parë ‘arushën e Rilindjes’.  Organet e drejtësisë duhet ta hetojnë sa më parë këtë shkelje të ligjit dhe aferë korruptive, duke proceduar gjithë personat përgjegjës!

kalaja pd rama komiteti olimpik shqiptar fidel ylli

Sondazh

Poll