Politike

Rrethimi i SPAK/ Berisha-Ramës: Po thirre protestë tjetër, ne do përgjigjemi me një kundërprotestë përfundimtare për ty

Në një deklaratë për mediat, Berisha i ka kërkuar kryministrit që të mos organizojë më protestë tjetër pasi opozita do ti kundërpërgjigjet me një protestë që ai nuk mund ta imagjinojë.

14 Shkurt 2025, 12:22 Nga M.L

Rrethimi i SPAK/ Berisha-Ramës: Po thirre protestë tjetër, ne do

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn që kane organizuar tubimin para SPAK-ut në mënyrën më të turpshme dhe në shkelje të akteve ligjore. Në një deklaratë për mediat, Berisha i ka kërkuar kryministrit që të mos organizojë më protestë tjetër pasi opozita do ti kundërpërgjigjet me një protestë që ai nuk mund ta imagjinojë. Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se kundërpërgjigja e tyre do të jetë përfundimtare për Ramën.

"Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo mazhorancë, kjo pseudomazhorancë apo narkomazhorancë, ka faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por, në një akt të pashembullt në historinë e një shteti, por natyrisht në një akt tipik të një narkoshteti, kjo zgjodhi tani sulmet fizike kundër gjykatësve dhe prokurorëve që kanë vendosur ndryshe nga sa dëshiron narkomazhoranca. Nuk është kjo një akt i papritur. Nuk është kjo një rezultat i momentit. Jo, të dashur qytetarë. Ky është rezultati i ndërtimit prej vitesh të një narkoshteti në këtë vend, i mbështetur fuqishëm nga Xhorxh Soros dhe mafia e tij. Mos harroni se Edi Rama dhe Erion Veliaj që organizuan në mënyrën më të turpshme, më kriminale, më të padenjë rrethimin e institucioneve të drejtësisë dhe sulmin fizik ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, mbajtjen peng në ndërtesë për orë të tëra duke mos i lënë për të dalë, kanë kryer gjer në këtë akt, me dhjetëra akte të tjera, për të cilat edhe mund të jenë mbështetur dhe duartrokitur.

Me këtë akt, Edi Rama dhe banda e tij, organizata e tij kriminale që kryeson, u dëshmuan shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ata pranojnë një drejtësi që shtrihet tek këmbët e tyre, që u nënshtrohet atyre. Kurrë nuk kam lexuar, nuk kam dëgjuar, që një shtet, përveç narkoshteteve që të kenë një qëndrim të tillë, të kryejnë akte të tilla ndaj institucioneve të një pushteti tjetër, që në Kushtetutë dhe në parim ndërkombëtar duhet të jetë i pavarur. Janë tejkaluar të gjitha normat. Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot," tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll