Aktualitet

Marrëveshja për emigrantët/ Italia ndërpret kontratat e punës së stafit mjekësor, nga e shtuna në Gjadër do të qëndrojnë vetëm disa policë

Duket se në pritje të marrjes së një zgjidhje ligjore nga ana e drejtësisë, kampet e Shëngjinit dhe Gjadrit do të boshatisen edhe nga stafi përveç faktit që nuk kanë azilkërkues. 

13 Shkurt 2025, 15:51 Nga M.B
Marrëveshja për emigrantët/ Italia ndërpret kontratat e
Qendrat e emigrantëve

ITALIA- Stafi i përkujdesjes kryesisht ata mjekësor do të ndërpresin marrëdhëniet e punës nga kjo e shtunë në kampet e emigrantëve të administruara nga Italia në territorin shqiptar. Duket se në pritje të marrjes së një zgjidhje ligjore nga ana e drejtësisë, kampet e Shëngjinit dhe Gjadrit do të boshatisen edhe nga stafi përveç faktit që nuk kanë azilkërkues. 

Media italiane "La Repubblica" shkruan, se qeveria italiane ka ndërprerë kontratat me këtë pjesë të stafit, ndërsa që prej kësaj fundjave në Shëngjin dhe në Gjadër do të mbeten vetëm disa policë italianë.

Qeveria italiane ka këmbëngulur se misionet me azilkërkuesit do të vijojnë, por ndërprerja e kontratave të punës për stafin shëndetësor thotë të kundërtën. Kështu, qeveria Meloni mbetet në pritje të vendimit të gjykatës europiane në fund të këtij muaji për çështjen e shumë debatuar.

Emigrantët e ardhur në janar 2025 ishin grupi i tretë dhe më i madh që ka ardhur në qendrën e pritjes në Shëngjin. Edhe në dy rastet e mëparshme, të tetorit dhe nëntorit të kaluar, gjyqtarët nuk vërtetuan ndalimin e azilkërkuesve të sjellë në objektet shqiptare. Qeveria italiane u ndalua disa herë nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër. Shkak i ndalimit dhe kthimit të emigrantëve ishin listat e vendeve të origjinës së azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet e BE.

Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje. Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik.

Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta. Ndër të tjera, për pjesën e listës së vendeve të sigurta, Gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e Ministrit të Jashtëm dhe Ministrave të tjerë.

Marrëveshja për emigrantët është kritikuar nga opozita italiane se është e shtrenjtë, me një kosto rreth 800 milionë euro gjatë pesë viteve, dhe sipas tyre trajton vetëm një pikë në oqeanin e emigrantëve që arrijnë në Itali çdo vit. Nga ana tjetër Komisioni Evropian dhe disa liderë evropianë kanë shprehur interesin që ai të bëhet një model i mundshëm për menaxhimin e emigrantëve jashtë territorit të BE-së.

marreveshja per emigrantet

Sondazh

Poll