Aktualitet

5 mijë euro fatura/ Si kompania “One Albania” sponsorizonte “Harabelin” me fonde nga bashkia

Në dosjen hetimore të siguruar nga Dosja.al, shihet se si One Albania i ka kaluar një fond prej 5 mijë eurosh, kompanisë Harabel.

11 Shkurt 2025, 16:13 Nga I.A
5 mijë euro fatura/ Si kompania “One Albania” sponsorizonte
One Albania

TIRANË- Dosja.al ka siguruar dosjen hetimore ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet nën arrest për disa vepra penale. Në dosjen hetimore zbulohet se si kompania Harabel e Ajola Xoxës ka përfituar fonde nga bashkia Tiranë me anë të palëve të treta në mes. Në dosjen hetimore të siguruar nga Dosja.al, shihet se si One Albania i ka kaluar një fond prej 5 mijë eurosh, kompanisë Harabel.

Pjesë nga Dosja hetimore:

Nga komunikimet gjithashtu rezulton se 'Harabel' financohet nga kompania e telekomunikacionit 'ONE', e cila përfiton fonde publike nga Bashkia Tiranë. Nga ana tjetër, kjo kompani është kliente, pra paguan për shërbime marketingu kompaninë 'Gogel' sh.p.k., në pronësi të shtetasit Arbër Veliaj, vëllai i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Ky fakt evidentohet edhe në faqen e komunikimeve, ndërsa shtetësja Ketrina Braho i thotë Adelës se mund të bëjnë faturën për 'ONE' nga 'Harabel' 5.000 euro dhe se ata (ONE) kanë bërë një shënim për faturën si e duan. Por edhe kompania 'ALBTELEKOM', e cila rezulton të jetë bashkuar me 'ONE', evidentohet në faqen 971 se ka firmosur me OJF 'BYL-A'. Për këtë, shtetësja Adela Kondakçiu fillimisht kërkon NIPT e 'Albtelekom' dhe më pas e saktëson duke thënë se i duhet ai i 'ONE Telecommunications'.

Kontrata me 'Harabel', sipas fotos së shkëmbyer mes bashkëbisedueseve rezulton të jetë lidhur më datë 27.10.2022 dhe ka për objekt të saj: Sponsorizimin, dhënien e një kontributi financiar ndaj Përfituesit të Sponsorizimit, nga shoqëria 'One Telecommunications', për të mbështetur këtë organizatë jofitimprurëse. Në faqen 977 shtetësja Ketrina Braho saktëson se sponsorizimi nga 'ONE telecommunications' bëhet për 'Harabel', ndërsa ai për 'BYL-A' bëhet nga Albtelekom, duke shtuar se duhet të procedojnë vetëm me faturën prej 5.000 eurosh nga ONE tek 'Harabel', ndërsa për pagesën tjetër do t'i njoftojnë ata (Albtelekom). Në faqen 983 Ketrina njofton Adelën se tashmë mund të presin dhe faturën e Albtelekom nga 'BYL-A', duke shfaqur gëzim për këtë lajm. E pyetur nga Adela nëse ata (kompania) ka thënë për ndonjë përshkrim, Ketrina i përgjigjet, jo, nuk më thanë përshkrim. Edhe nga kjo rezulton e qartë se lekët jepen, por as kuptohet përse jepen, për sa kohë vetë punonjëset e përfshira në detajet e përditshmërisë së këtyre organizatave nuk kanë asnjë ide si ta bëjnë përshkrimin në faturë.

one albania

Sondazh

Poll