Sport

VIDEO / Mbyllet në barazim derbi i kryeqytetit i cili pati gjithçka brenda nga golat tek sherri!

9 Shkurt 2025, 16:31 Nga DOSJA
VIDEO / Mbyllet në barazim derbi i kryeqytetit i cili pati gjithçka

TIRANE - Derbi mes Partizanit dhe Tiranës mbyllet në paqe në rezultat, por me grushte në minutat shtesë. Në “Arenën e Demave” takimi më i rëndësishëm i javës së 24-t prodhoi gjithçka: gola, kartonë të kuq dhe tension mes palëve.

Barazimi, për nga mënyra sesi erdhi u përjetua si fitore në kampin e të kuqve, ndërsa te Tirana, që është në një pozicion të vështirë në renditjen e përgjithshme, ishte një derbi që u mbyll me pengun e madh të mungesës së fitores. Dy pikë të lëna në minutën e fundit të ndeshjes, kur nuk kishte më kohë për të kërkuar fitoren.

Sfida nisi e ekuilibruar dhe rezultati u zhbllokua nga Ernest, pas një veprimi të bukur individual. Festë e madhe në stolin e Tiranës, që shënon golin e parë në derbi në “Arenën e Demave”. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e bardhebluve, të cilët nuk përfituan nga një gabim i mbrojtjes së kuq në të 59-tën, me Ernest që nuk arrin të mposhtë Qirkon.


Duhej të vinte minuta e fundit që festa të zhvendosej në kampin e kuq: gjatë një goditjeje këndi, Sembene devijon topin në rrjetë, duke barazuar rezultatin.

Tension mes dy kampeve në kohën shtesë, ku nuk mungojnë shtyrjet dhe goditjet mes kundërshtarëve: Bytyçi, Taipi dhe Gudjufi të Partizanit ndëshkohen me të kuq, ndërsa ën radhët e bardhebluve i njëjti ndëshkim ishte për Markun, Gjumsin dhe Micin.


Në minutat e mbetura të kohës shtesë nuk pati ndryshim rezultati, kështu që skuadrat ndanë pikët në një ndeshje që do të mbahet mend më shumë për tensionin fund të ndeshjes.


B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll