Aktualitet

Vendosja e kamerave në vendvotime, KQZ: Sigurohet nivel i lartë i mbikëqyrjes dhe mbrojtjes gjatë gjithë procesit zgjedhor

Për zgjedhjet e sotme parlamentare, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.

9 Shkurt 2025, 07:18 Nga r.ll
Vendosja e kamerave në vendvotime, KQZ: Sigurohet nivel i lartë i
foto ilustruese

KOSOVË- Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi ka njoftuar me vënien e kamerave vëzhguese në  hapësirat brenda vendvotimit. Ai u shpreh se kjo bëhet me qëllim garantimin e sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në qendrën e votimit. 

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qellim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi me qellim që t’iu ofrohen institucioneve ligj zbatuese. Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitoroje këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të behet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligj zbatuese”, u shpreh ai.

Për zgjedhjet e sotme parlamentare, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues. Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.

zgjedhjet ne kosove 9 shkurt 2025

Sondazh

Poll