Aktualitet

U arrestuan pas arratisjes së Daut Lazes, lirohen nga qelia tre punonjësit e burgut të Shënkollit

Gjin Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Mella, u njohën me masën e sigurisë në gjykatën e Lezhës.

7 Shkurt 2025, 09:46 Nga E. D
U arrestuan pas arratisjes së Daut Lazes, lirohen nga qelia tre
Daut Laze

LEZHË- Tre punonjësit e burgut të Shënkollit të cilët u arrestuan pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze, janë liruar nga qelia. Gjin Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Mella, u njohën me masën e sigurisë në gjykatën e Lezhës.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, Ndoka, Nikolli dhe Mella kanë deklaruar se kanë qenë në detyre, por nuk e kanë konstatuar 49-vjeçarin Daut Laze duke u arratisur nga burgu.

Pasi dëgjoi palët gjyqtari Lirim Bulica pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tre punonjësve të burgut dhe vendosi për Gjin Ndokën punonjës shërbimi në kupole dhe Mark Nikolli punonjës në sektor (grup sigurie), masën e sigurisë “Arrest në Shtëpi”, ndërsa për Zhaneta Mella (operatore kamerave) u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

Ndaj tyre është ngritur akuza e shpërdorimit të detyres dhe hetimet për këtë çështje po vijojnë nga prokuroria e Lezhës. Daut Laze u arratis nga burgu i Shënkollit në Lezhës mbrëmjen e 3 shkurtit dhe pavarësisht kontrolleve, policia nuk ka arritur të bie ende në gjurmët e tij. Nga veprimet e kryera rezulton se 49-vjeçari me probleme të shëndetit mendor të ketë dalë në ajrim, aty ka marrë një llamarinë të cilën e ka mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë në anën jugore të burgut, duke e kapërcyer dhe larguar.

 

daut laze

Sondazh

Poll