Bota

FOTO/ Mijëra qytetarë protestojnë në Maqedoninë e Veriut për vdekjen e 22-vjeçares në qendër të Shkupit

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shkupit, shoferi që e shkaktoi aksidentin nuk kishte leje drejtimi, ishte nën efektin e alkoolit dhe po kalonte me semafor të kuq.

31 Janar 2025, 17:19 Nga E. D
FOTO/ Mijëra qytetarë protestojnë në Maqedoninë e
pamje nga vendngjarja

MAQEDONIA E VERIUT- Mijëra qytetarë kanë demonstruar në mesditë në qendër të Shkupit për incidentin me një vajzë të re e cila humbi jetën kur u përplas nga një makinë e drejtuar nga një 20-vjeçar teksa kalonte në një vendkalim për këmbësorë. Aksidenti ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, në qendër të Shkup. 22-vjeçarja Frosina Kulakova e cila humbi jetën ishte duke studiuar në një shkollë mode në Shkup. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shkupit, shoferi që e shkaktoi aksidentin nuk kishte leje drejtimi, ishte nën efektin e alkoolit dhe po kalonte me semafor të kuq.

Ai ishte i njohur për autoritetet, pasi ishte arrestuar vitin e kaluar për posedim dhe trafik droge, por pas tre muajsh qëndrimi në paraburgim u la i lirë përkohësisht. 20-vjeçari që shkaktoi aksidentin u arrestua dhe u dënua me 30 ditë burg. Protestuesit fillimisht u mblodhën në vendin e aksidentit, ku ndezën qirinj dhe lanë lule, e më pas u zhvendosën në drejtim të Kuvendit dhe Gjykatës së Shkupit.

Protestuesit, shumë prej të cilëve studentë, u shprehën të indinjuar për faktin se persona të rrezikshëm ndaj të cilëve është nisur procedimi penal, si në rastin e shoferit 20-vjeçar, mbeten të pandëshkuar dhe lëvizin të lirë. Ata vetë argumentuan se kjo është rezultat i sistemit të korruptuar të vendit dhe drejtësisë së korruptuar. Protestuesit kanë brohoritur “duam drejtësi, nuk është aksident, është vrasje, ju janë lyer duart me gjak”.

Nëse nuk e ngremë zërin tani dhe nuk reagojmë, incidente të tilla tragjike do të vazhdojnë të ndodhin”. Frosina mund të jetë secili prej nesh. Frosina është viktimë e sistemit korruptiv dhe mungesës së llogaridhënies në vend”, tha një përfaqësues i Unionit Studentor i cili mori pjesë në demonstratë.

Një demonstratë e ngjashme është mbajtur edhe në qytetin e Negotinës, prej nga vjen 22-vjeçarja Frosina e cila humbi jetën. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrvatski Mickoski, shprehu keqardhjen që një i ri e humbi jetën kaq pa nevojë dhe tha se i kupton plotësisht protestat e qytetarëve, të cilat i përkrah. Mickoski, i cili mori detyrën si kryeministër qershorin e kaluar, pretendon se sistemi gjyqësor i vendit është thellësisht i korruptuar dhe citon sondazhet e opinionit që tregojnë se besimi i qytetarëve në të është minimal.

protesta ne maqedonine e veriut

Sondazh

Poll