Politike

Rama dhe Koçiu inspektojnë punimet në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ministrja: Rikonstruksioni pritet të përfundojë brenda vitit

Ministrja theksoi se ky investim në një sipërfaqe prej rreth 6 mijë metër katrorë përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

30 Janar 2025, 09:55 Nga r.ll
Rama dhe Koçiu inspektojnë punimet në maternitetin
albana kociu, edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inspektimet e punimeve për rikonstruksionin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.

Rama ka ndarë në Facebook, pamje nga inspektimet e punimeve, ndërsa shoqërohet edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Ministrja tha se punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti së bashku me mobilimin dhe pajisjet e teknologjisë së lartë. Gjithashtu theksoi se ky investim në një sipërfaqe prej rreth 6 mijë metër katrorë përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

“Rikonstruksioni i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po realizohet në dy faza. Faza e parë që ka të bëjë edhe me ndërtimin e godinës kryesore diku te 6 mijë metër katrorë dhe ka përfunduar në fund të vitit që shkoi. Në godinën e re, 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë janë shërbimet kryesore, shërbimi obstetrikë-gjinekologjisë, shërbimi i imazherisë, qendrën e gruas që është e gjitha e ndërtuar e re”, u shpreh Koçiu duke shtuar se ndërkohë ka filluar faza e dytë me rikonstruksionin e ambienteve të neonatologjisë.

Koçiu vuri në duke se është mundësuar dyfishim të kapaciteteve, 7 salla operacioni 6 salla lindjeje me kushte bashkëkohore si dhe ofrimin e shërbimit të neonatologjisë dhe qendrën e parë të prematuritetit.

“Nga 260 shtretër që janë aktualisht, kapacitetet e shtretërve janë rritur në 320. Secili nga shërbimet ka edhe shërbimin intensiv. Me shërbimin e neonatologjisë kompletohet i gjithë korpusi spitalor. Ndërkohë që tek faza e dytë kemi edhe qendrën e prematuritetit e ndarë në dy klinika. Klinikën për nënat që kanë risk të lartë gjatë shtatzanisë dhe klinika për fëmijët që lindin prematurë. Është qendër e re që krijohet këtu dhe vjen edhe si rezultat i shtimit dhe organizimit të ambienteve të reja”, u shpreh Koçiu.

edi rama albana kociu

Sondazh

Poll