Bota

Zgjedhjet në Bjellorusi/ Lukashenko fitoi mandatin e shtatë, BE-ja i cilëson votimet si të rreme

Ministria e Punëve të Brendshme tha se nuk kishte shkelje të mëdha gjatë procesit zgjedhor. Punëtorët e ministrisë dhe personeli ushtarak “zbatuan masat për të ofruar siguri publike gjatë zgjedhjeve”, tha kjo ministri përmes një postimi në Telegram.

27 Janar 2025, 11:10 Nga N.F
Zgjedhjet në Bjellorusi/ Lukashenko fitoi mandatin e shtatë, BE-ja i
Lukashenko

BJELLORUSI- Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenko, ka siguruar mandatin e shtatë, pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale që udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kanë cilësuar si “të rreme”.

Me të gjitha votat e numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi tha se sipas rezultateve preliminare, Lukashenko ka fituar 86.8 për qind të votave në zgjedhjet e 26 janarit. Kundërshtari i tij, Sergei Syrankov fitoi 3.2 për qind të votave.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se nuk kishte shkelje të mëdha gjatë procesit zgjedhor. Punëtorët e ministrisë dhe personeli ushtarak “zbatuan masat për të ofruar siguri publike gjatë zgjedhjeve”, tha kjo ministri përmes një postimi në Telegram. Lukashenko, aleat i Rusisë i cili është në pushtet që tri dekada, pasi votoi deklaroi për mediat se Bjellorusia është një “demokraci e fortë”.

Por, opozita, grupet për të drejtat e njeriut dhe Perëndimi deklaruan të kundërtën. Grupi avokues, Freedom House, me seli në Uashington, në raportin e tij të fundit e ka përshkruar Bjellorusinë si një “shtet autoritar në të cilin zgjedhjet haptazi vidhen dhe liritë civile janë thellësisht të kufizuara”.

Udhëheqësja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila jeton në Lituani, shkroi në X më 26 janar se tubimet kundër zgjedhjeve po mbaheshin në disa qytete në mbarë Evropën, duke shtuar se “Bjellorusia kërkon liri”.

Para zgjedhjeve, zyrtarë të lartë të BE-së vunë në pikëpyetje legjitimitetin e votimeve dhe fitores së pritur të Lukashenkës. Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se zgjedhjet ishin “të rreme”. Ajo shkroi në X se “mesazhi im për popullin e Bjellorusisë është: mbahuni të fortë, keni mbështetjen tonë, diktaturës do t’i vjen fundi”.

Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, kritikoi Lukashenkon, duke thënë se ai ka “kapur pushtetin që 30 vjet” dhe po e “rizgjedh veten edhe përmes një votimi të rremë”.

“Kjo është një fyerje flagrante për demokracinë”, shkroi ajo në X.

Megjithatë, Lukashenko hodhi poshtë kritikat e udhëheqësve perëndimor.

“I pranoni ose jo këto zgjedhje: është çështje shijesh. Nuk më bëhet vonë. Kryesorja për mua është se bjellorusët i njohin këto zgjedhje”, tha ai gjatë konferencës për media në Minsk më 26 janar./ REL

zgjedhjet në bjellorusi lukashenko be

Sondazh

Poll