Bota

Zjarr në një azil në Serbi, i moshuari i vë flakën dyshekut, humbin jetën 8 persona, plagosen 7 të tjerë

Ministri i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale Nemanja Staroviq tha, sipas të dhënave të para paraprake, ka indikacione se zjarri ishte zjarrvënie, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

20 Janar 2025, 09:23 Nga B.Z
Zjarr në një azil në Serbi, i moshuari i vë flakën
Pamje nga azili

SERBI - Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Serbi, në shtëpinë e të moshuarve në Veliki Bork afër Barajevës. Një i moshuar në rrethana ende të paqarta dyshohet se i ka vënë flakën dyshekut ku flinte dhe si pasojë zjarri ka përfshirë gjithë katin e godinës.

Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, dhe sipas mediave serbe si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 8 persona dhe janë plagosur shtatë të tjerë, ndërsa janë evakuar personat e tjerë që ndodheshin në godinë.

Sipas raportimeve zjarri është shuar, ndërsa në shuarje kanë marrë pjesë një numër i madh i zjarrfikësve dhe makinave zjarrfikëse.

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale Nemanja Staroviç tha për mediat vendase, se sipas të dhënave të para paraprake, ka indikacione se zjarri ishte zjarrvënie e qëllimshme nga i moshuari, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Siç shtoi ai, Shtëpia e të Moshuarve “Ivanoviç” kishte licencë të vlefshme dhe të gjitha kushtet e nevojshme për mbrojtje nga zjarri. Ai theksoi se është siguruar strehim urgjent për të evakuuarit. Staroviç shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

serbi zjarr

Sondazh

Poll