Bota

Armëpushimi në Gazë, Netanyahu: Nuk do të fillojë derisa Hamasi të publikojë listën e pengjeve që do të lirohen

Hamasi fajësoi vonesën në dorëzimin e emrave për "arsye teknike në terren". Grupi tha në një deklaratë se është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të shpallur javën e kaluar.

19 Janar 2025, 07:34 Nga r.ll
Armëpushimi në Gazë, Netanyahu: Nuk do të fillojë
benjamin netanyahu

IZRAEL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se një armëpushim në Gaza që pritej të hynte në fuqi këtë mëngjes nuk do të ndodhë nëse Hamasi nuk arrin të nxjerrë listën e pengjeve që do të lirohen. Një armëpushim i kërkuar prej kohësh për Gazën, ku Izraeli ka zhvilluar një fushatë të fuqishme ushtarake gjatë 15 muajve të fundit, do të fillonte sot në orën 8:30 të mëngjesit me kohën lokale.

Por një orë para fillimit të armëpushimit, Netanyahu përsëriti një paralajmërim të lëshuar fillimisht dje se marrëveshja nuk do të realizohej pa një listë me tre pengje femra që do të lirohen sot. Hamasi pritet të lirojë pengjet më vonë në këmbim të shumë palestinezëve të burgosur nga Izraeli, hapi i parë në një proces të gjatë që synon mbylljen e luftës 15-mujore.

Hamasi fajësoi vonesën në dorëzimin e emrave për "arsye teknike në terren". Grupi tha në një deklaratë se është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të shpallur javën e kaluar.

“Kryeministri udhëzoi IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) që armëpushimi, i cili supozohet të hyjë në fuqi
në orën 8:30 të mëngjesit, nuk do të fillojë derisa Izraeli të ketë listën e të rrëmbyerve të liruar që Hamasi është zotuar të sigurojë”, tha zyra e Netanyahut.

Marrëveshja u miratua nga kabineti i Izraelit të premten mbrëma, pasi një përparim në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA, Katari dhe Egjipti u njoftua të mërkurën. Në fazën e parë, marrëveshja do të bënte që 33 nga 98 pengjet të liroheshin gjatë gjashtë javëve. Pjesa tjetër do të lirohet në një fazë të dytë që do të negociohet gjatë së parës.

Nga 990 deri në 1650 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë do të lirohen në këmbim, në varësi të numrit të pengjeve të liruara. Forcat izraelite kishin filluar të tërhiqen nga zonat në Rafah të Gazës në korridorin e Filadelfit përgjatë kufirit midis Egjiptit dhe Gazës, raportuan mediat pro-Hamasit sot herët. Ushtria izraelite paralajmëroi banorët e Gazës që të mos iu afrohen trupave të saj ose të lëvizin nëpër territorin palestinez përpara afatit të armëpushimit, duke shtuar se kur lejohet lëvizja "do të lëshohet një deklaratë dhe udhëzime për metodat e sigurta të tranzitit".

benjamin netanyahu armepushimi ne gaza

Sondazh

Poll