Politike

Sondazhi nga IRI: Shqiptarët të pakënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend

Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes së vendit.

14 Janar 2025, 20:26 Nga M.B
Sondazhi nga IRI: Shqiptarët të pakënaqur me mënyrën si
Foto ilustruese

TIRANA- Nga Anketa e Institutit Republikan doli po ashtu që më pak se gjysma e të anketuarve (49%) janë të kënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend, ndërsa gjysma tjetër shprehen të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur. Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes së vendit.

Por vetëm një e treta e tyre mendojnë se vendi po qeveriset në interes të shumicës së popullatës, ndërsa afro dy të tretat (62%) shprehen se qeverisja punon për interesat e disa grupeve. Ky perceptim është më shumë i përhapur tek të anketuarit nga 18 deri 35 vjeçarë (72%), por kjo është një përgjigje e qëndrueshme edhe në moshat e tjera nga 36 deri mbi 56 vjeç e lart (59%).

Të pyetur nëse të rinjtë e sotëm kanë një të ardhme të mirë në Shqipëri, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar (57%) përgjigjen negativisht, kundrejt 40 për qind të atyre që shprehen pro një të ardhme të mirë. Krahasuar me një vit më parë, përgjigja se rinia nuk ka një të ardhme të mirë në atdhe sivjet është përkeqësuar me 3 pikë. Shumica e të anketuarve në këtë përgjigje negative janë të rinj, por po ashtu janë shprehur njëlloj edhe shumë të anketuar nga të gjithë grupmoshat.

demokracia

Sondazh

Poll