Aktualitet

"Një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri!" Sondazhi nga IRI: Qytetarët besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike

Pjesa më e madhe besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike si doktorët, mësuesit dhe policët, e më pas ata renditin kryeministrin me kabinetin qeveritar, drejtësinë, drejtuesit e partive politike e të biznesit si dhe zyrtarët vendorë.

14 Janar 2025, 20:22 Nga M.B
"Një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri!"
Foto ilustruese

TIRANA- Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) nxjerr në pah se korrupsioni mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri, teksa 71 për qind e të anketuarve e cilësojnë këtë dukuri si një problem serioz. Pjesa më e madhe besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike si doktorët, mësuesit dhe policët, e më pas ata renditin kryeministrin me kabinetin qeveritar, drejtësinë, drejtuesit e partive politike e të biznesit si dhe zyrtarët vendorë.

Pjesa më e madhe të anketuarve shprehen se problemet më të rëndësishme që përballet vendi aktualisht janë ekonomia me çmimet e larta dhe kostot e jetesës, papunësia dhe korrupsioni, pasuar nga shëndetësia, kriminaliteti dhe migrimi. Krahasuar me një vit më parë, shqetësimi për ekonominë ka rënë me 11 pikë, por shqetësimi për korrupsionin është rritur me 2 pikë. Pjesa dërrmuese e të anketuarve pohuan që nëse zgjedhjet mbahen sot, çështjet përcaktuese për votën e tyre janë pensionet, ekonomia dhe antikorrupsioni.

Ata besojnë se arritjet më të rëndësishme të qeverisë aktuale janë infrastruktura, integrimi europian dhe reforma në drejtësi, por tek dështimet më të mëdha të qeverisë qytetarët renditën pensionet, ekonominë, emigrimin dhe korrupsionin. Qytetarët e anketuar mendojnë se përparësitë kryesore që qeveria duhet të trajtojë janë ekonomia, pagat dhe pensionet, punësimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit.

korrupsioni

Sondazh

Poll