Bota

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius i dorëzon Ukrainës obusë të rinj me rrota

Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksii Makeiev pranoi simbolikisht të parin nga gjithsej 54 obusët me rrota për vendin e tij. Gjashtë ekzemplarët e parë të këtyre sistemeve do të qëndrojnë fillimisht në Gjermani dhe do të përdoren për të trajnuar ushtarët ukrainas.

14 Janar 2025, 13:18 Nga N.F
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius i dorëzon Ukrainës obusë
Foto ilustruese

UKRAINË- Artileria ukrainase do të përforcohet me obusë modernë me rrota nga Gjermania. Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Pistorius dorëzoi obusin e parë.  Ukraina është nën presion në rritje në fushatën e saj të mbrojtjes kundër Rusisë. Tani Gjermania e shton ndihmën, duke i dorëzuar një sistem të ri armësh. Ministri Federal i MbrojtjesBoris Pistorius i ka dorëzuar Ukrainës obusin e parë të ri me rrota "RCH 155".

"Obusët me rrota kanë për qëllim të ndihmojnë Ukrainën të fitojë luftën kundër agresorit rus," tha Pistorius gjatë një vizite te prodhuesi i armatimit KNDS në Kassel. Ukraina i kishte porositur armët e reja të lëvizshme në vitet 2022 dhe 2023. "Ukraina mund të llogarisë me mbështetjen tonë - dhe ky është sinjali - Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj në Evropë," tha ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë.

54 obusë me rrota për Ukrainën


Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksii Makeiev pranoi simbolikisht të parin nga gjithsej 54 obusët me rrota për vendin e tij. Gjashtë ekzemplarët e parë të këtyre sistemeve do të qëndrojnë fillimisht në Gjermani dhe do të përdoren për të trajnuar ushtarët ukrainas.

Obusë edhe për Bundeswehr-in


Obusi - një grykë zjarri prej 155 mm e montuar në një automjet të blinduar me rrota me katër boshte - gjithashtu do të jetë më vonë në dispozicion për forcat e armatosura gjermane, të cilat shpresojnë se një sistem me rrota do të lejojë gjithashtu vendosje më të shpejtë. KNDS po ndërton gjithashtu obusin "2000", një armë artilerie me zinxhirë.

Obusi i ri RCH 155 është gjithashtu "një element i rëndësishëm për mbrojtjen e vendit dhe të aleancës nga Gjermania", tha Pistorius. Kjo armë "do të kontribuojë në rritjen e aftësive luftarake të Bundeswehr-it," shtoi ai.

Qënia i përgatitur për një luftë - "prioriteti kryesor i momentit"


Ministri u ndal edhe në debatin për buxhetin e mbrojtjes. Ai vuri në dukje se Gjermania kishte përmbushur objektivin e NATO-s për të shpenzuar dy përqind të prodhimit ekonomik për mbrojtjen për herë të parë deri në vitin 2024. "Ne e dimë se duhet të investojmë edhe më shumë në mbrojtje në vitet e ardhshme," vazhdoi Pistorius. Dy përqind është vetëm fillimi, shtoi ai, dhe duhet të jetë shumë më tepër.

"Rritja e aftësive luftarake të Bundeswehr-it në vitet e ardhshme dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, është prioriteti më i lartë për momentin," tha Pistorius. Ministri iu referua kërcënimit që paraqet Rusia. "Putini nuk do të ndalet," paralajmëroi ai./ DW

pistorius lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll