Bota

Asocciated Press: Hamasi pranon marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin, pritet shkëmbimi i dhjetëra pengjeve me të burgosurit palestinezë

Zyrtarët kanë shprehur optimizëm në rritje se mund të përfundojnë një marrëveshje përpara inaugurimit më 20 janar të Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, i dërguari i të cilit në Lindjen e Mesme i është bashkuar negociatave.

14 Janar 2025, 12:27 Nga r.ll
Asocciated Press: Hamasi pranon marrëveshjen e armëpushimit me
foto ilustruese

KAJRO- Hamasi ka pranuar një projekt-marrëveshje për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve, thanë të martën dy zyrtarë të përfshirë në bisedime. Një zyrtar izraelit tha se është bërë përparim, por detajet janë duke u finalizuar. Plani duhet t'i paraqitet kabinetit izraelit për miratim përfundimtar, shkruan Associated Press.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë kaluar vitin 2024 duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar djhënien fund të luftës 15-mujore dhe për të siguruar lirimin e dhjetëra pengjeve të kapur në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023. Rreth 100 izraelitë janë ende robër brenda Gazës dhe ushtria beson se të paktën një e treta e tyre janë të vdekur.

Zyrtarët kanë shprehur optimizëm në rritje se mund të përfundojnë një marrëveshje përpara inaugurimit më 20 janar të Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, i dërguari i të cilit në Lindjen e Mesme i është bashkuar negociatave. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha në një konferencë javore të martën se negociatat në vazhdim janë pozitive dhe produktive, ndërsa nuk pranoi të hynte në detajet e bisedimeve të ndjeshme. Hamasi, ndërkohë, tha në një deklaratë se negociatat në vazhdim kishin arritur në "fazën e tyre përfundimtare".

Ofensiva ka kthyer në rrënoja zona të mëdha të territorit dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës, me qindra mijëra të vendosur në kampe tendash përgjatë bregdetit ku uria është e përhapur. Sulmet izraelite në të gjithë Gazën gjatë natës dhe të martën vranë të paktën 18 palestinezë, duke përfshirë dy gra dhe katër fëmijë, ndërsa rebelët Houthi të Jemenit qëlluan dy raketa në Izrael, duke ndezur sirenat dhe duke i dërguar njerëzit në gara në strehimore. Askush nuk u plagos nga predha.

Një marrëveshje me tre faza

Marrëveshja trefazore, e bazuar në një kornizë të përcaktuar nga presidenti amerikan Joe Biden dhe e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do të fillonte me lirimin gradual të 33 pengjeve gjatë një periudhe gjashtë javore, duke përfshirë gra, fëmijë, të moshuar dhe civilët e plagosur në këmbim të qindra grave dhe fëmijëve palestinezë të burgosur nga Izraeli. Në mesin e 33 të liruarve do të ishin pesë ushtarë izraelitë, secili prej të cilëve do të lirohej në këmbim të 50 të burgosurve palestinezë, duke përfshirë 30 militantë të dënuar që po vuajnë dënimin e përjetshëm. Deri në fund të fazës së parë, të gjithë robërit civilë, të gjallë apo të vdekur, do të jenë liruar. Gjatë kësaj faze të parë, 42-ditore, forcat izraelite do të tërhiqen nga qendrat e popullsisë, palestinezët do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazën veriore dhe do të ketë një rritje të ndihmave humanitare, me rreth 600 kamionë që do të hyjnë çdo ditë.

Detajet e fazës së dytë ende duhet të negociohen gjatë të parës. Këto detaje mbeten të vështira për t'u zgjidhur dhe marrëveshja nuk përfshin garanci me shkrim se armëpushimi do të vazhdojë derisa të arrihet një marrëveshje. Kjo i lë potencialin Izraelit që të rifillojë fushatën e tij ushtarake pas përfundimit të fazës së parë. Tre ndërmjetësit, megjithatë, i kanë dhënë Hamasit garanci verbale se negociatat do të vazhdojnë siç është planifikuar dhe se ata do të bëjnë presion për një marrëveshje për zbatimin e fazës së dytë dhe të tretë përpara përfundimit të së parës, tha zyrtari egjiptian. Marrëveshja do t'i lejonte Izraelit gjatë gjithë fazës së parë të mbetet nën kontrollin e Korridorit të Filadelfit, brezi i territorit përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, nga i cili Hamasi fillimisht kishte kërkuar tërheqjen e Izraelit. 

Në fazën e dytë, Hamasi do të lironte robërit e mbetur të gjallë, kryesisht ushtarë meshkuj, në këmbim të më shumë të burgosurve dhe “tërheqjes së plotë” të forcave izraelite nga Gaza, sipas projekt-marrëveshjes. Por Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë pengjet e mbetura pa një përfundim të luftës dhe një tërheqje të plotë izraelite, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar në të kaluarën të rifillojë luftimet nëse nuk eliminohen aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.

Nëse në këto bisedime nuk përpunohet një qeveri alternative për Gazën, ajo mund të lërë Hamasin në krye të territorit Në një fazë të tretë, trupat e pengjeve të mbetura do të kthehen në këmbim të një plani rindërtimi tre-pesë-vjeçar që do të kryhet në Gaza nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

lufta izrael-hamas

Sondazh

Poll