Aktualitet

Përfitojnë 500 mijë shqiptarë/ Miratohet marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet, projektligji tani i kalon Senatit

Projektligji tani i kalon Senatit dhe nëse edhe dhoma e lartë e parlamentit e miraton, marrëveshja për sigurimet shoqërore quhet e ratifikuar plotësisht.

9 Janar 2025, 16:06 Nga r.ll
Përfitojnë 500 mijë shqiptarë/ Miratohet marrëveshja
foto ilustruese

ITALI- Dhoma e ulët e parlamentit italian ka miratuar zbatimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja, e cila u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024 mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve, Igli Hasani dhe Antonio Tajani, kaloi me 273 vota pro dhe asnjë kundër. 

Projektligji tani i kalon Senatit dhe nëse edhe dhoma e lartë e parlamentit e miraton, marrëveshja për sigurimet shoqërore quhet e ratifikuar plotësisht.

Në raportin shpjegues të projektligjit, qeveria italiane saktëson ndër të tjera se “Marrëveshja përshtatet në një kontekst të karakterizuar nga marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare, të favorizuara nga afërsia gjeografike, nga pozicioni strategjik i afërsisë me tregjet e Bashkimin Evropian, nga integrimi i fortë ekonomik dhe nga perspektiva, e mbështetur fuqishëm nga Italia, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Dokumenti rregullon përfitimet e pensioneve, papunësisë, sëmundjeve dhe amësisë së atyre që ushtrojnë ose kanë ushtruar një aktivitet si të punësuar ose të vetëpunësuar në të dy shtetet.

Ndërkohë janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë, që përfitojnë pension në Shqipëri. Për të marrë pension në Itali duhen 20 vite pune, ndërsa për të përfituar pension në Shqipëri mjaftojnë 15 vite pune.

marreveshja shqiperi-itali per pensionet

Sondazh

Poll