Bota

Zjarri në Kaliforni/ Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar nga flakët, mbi 40 mijë banorë janë evakuuar

Kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Karen Bass paralajmëroi se kushtet e zjarrit priten të përkeqësohen në orët e ardhshme.

8 Janar 2025, 17:22 Nga E. D
Zjarri në Kaliforni/ Të paktën dy persona kanë humbur
pamje nga zjarri

KALIFORNI- Skena apokaliptike tregohen në Kaliforni ndërsa zjarri masiv ka shkrumbuar gjithçka. Një zonë e madhe po digjet nga Malibu në Santa Monica dhe mbi 40,000 banorë janë evakuuar. Gjithashtu raportohet se dy persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur nga zjarri i Eaton pranë qytetit të Pasadenase. Kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Karen Bass paralajmëroi se kushtet e zjarrit priten të përkeqësohen në orët e ardhshme.

Shumë u detyruan të braktisnin makinat në lagjen midis Malibu dhe Santa Monica. Zjarri i furishëm po djeg me shpejtësinë rreth pesë fusha futbolli në minutë dhe ka djegur më shumë se 2900 hektarë. Los Anxhelosi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe zjarrfikësit kanë paralajmëruar se erërat si tornado po ndërlikojnë betejat e tyre.

Tre zjarre të tjera kanë shpërthyer në kontenë e Los Anxhelosit. Më shumë se 1,400 zjarrfikës po punojnë në frontet e zjarrit që kanë shpërthyer në të gjithë qarkun e Los Anxhelosit. 

"Gjashtë orët e ardhshme do të jenë kritike për zjarrfikësit," tha meteorologu i CNN Derek Van Dam.

Është shpallur gjendja e jashtëzakonshme

Të paktën 200,000 qytetarë në Los Angeles County janë tani pa energji elektrike. Disa rrethe shkollore kanë njoftuar mbyllje për shkak të erërave të forta dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Rajoni është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe presidenti Joe Biden ka miratuar fondet federale për të mbështetur zonat e prekura. Miliona njerëz në Kaliforni janë nën alarmin e kuq, që do të thotë se janë në rrezik të shtuar për zjarre të mëdha.

Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit, përmes shefes Sheila Kelliher, paralajmëroi se zjarrfikësit janë në një natë të vështirë përpara pasi erërat "si tornado" priten të përkeqësohen. Kelliher tha se terreni dhe erërat ishin një "betejë e madhe".

zjarri ne kaliforn

Sondazh

Poll