Aktualitet

Atentati me 4 të vrarë në Dobraç/ Gjykata e Apelit heq masën e pezullimit nga detyra për 4 efektivët e 'Shqiponjave’

Katër efektivët e dyshuar për shpërdorim detyre do të hetohen në gjendje të lirë me masë sigurie detyrim paraqitje.

30 Dhjetor 2024, 16:05 Nga DOSJA
Atentati me 4 të vrarë në Dobraç/ Gjykata e Apelit heq
pamje nga atentati

SHKODËR- Gjykata e Apelit ka hequr masën e pezullimit nga detyra për katër efektivët e “Shqiponjave” në Shkodër të cilët dyshohet se nuk ndaluan personin e paidentifikuar( i dyshuar Ibrahim Lici) që ishte pjesë e masakrës së 30 tetorit 2024 me 4 viktima. 

Gjithashtu Apeli ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkodrës duke hequr edhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Katër efektivët e dyshuar për shpërdorim detyre do të hetohen në gjendje të lirë me masë sigurie detyrim paraqitje.

Dy policët patrulle dhe 2 të Shqiponjave në Shkodër u arrestuan më 20 nëntor 2024 nga AMP pasi dyshohen se nuk siguruan vendin e ngjarjes për shoqërimin e personave për verifikim. I gjithë hetimi i AMP-së nisi pas publikimit të një videoje ku shfaqet një person që dyshohet se është Ibrahim Lici, pranë trupit të pajetë të vëllait Hamza Lici, ku aty gjendet edhe një polic i Shqiponjave.

Atentati në Dobraç

Atentati ndodhi pasditen e 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës, ku në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, një automjet i ka prerë rrugën një “Mercedes”-i duke qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi të. Viktimat ishin Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes, Arlind Bushati i cili ndërroi jetë në spital dhe Flutura Basha e cila ishte një kalimtare e rastit në atë rrugë, teksa ndodhej me bashkëshortin e saj në një motor. Ndërkohë, ky i fundit, identifikuar si Bashkim Basha ndërroi jetë në spital, 5 ditë pa atentatit.

Në makinën e viktimava shofer ka qenë Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha. Ende nuk ka asnjë person të arrestuar lidhur me ngjarjen e rëndë ndonëse ka pasur shqoërime të shumta në policia dhe marrje në pyetje.  Në automjetin ku ishin viktimat e atentatit ka qenë edhe një person i tretë, i cili u filmua nga persona të rastësishëm, por u zhduk menjëherë pas atentatit. Identiteti i tij është mister, ndërsa ka dyshime të forta se ishte Ibrahim Lici, vëllai i njërit prej viktimave dhe emër i njohur i botës së krimit. 

gjykata e apelit

Sondazh

Poll