Politike

Hetimi pasuror apo çështje të Bashkisë Tiranë? Erion Veliaj merr me vete në SPAK dhe Drejtorin Juridik të Bashkisë

Veliaj kishte kërkuar shtyrjen e seancës së marrjes së tij në pyetje për ditën e enjte, kërkesë kjo që u pranua nga SPAK.

26 Dhjetor 2024, 11:07 Nga Dosja.al
Hetimi pasuror apo çështje të Bashkisë Tiranë? Erion
erion veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme. Veliaj, sikuse raportoi Dosja.al më 24 dhjetor, ishte thirrur ditën e martë për tu marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme. Sipas informacioneve, ai kishte kërkuar shtyrjen e seancës së marrjes së tij në pyetje për ditën e enjte, kërkesë kjo që u pranua nga SPAK.

Ndërkohë ditën e sotme u vu re se Veliaj ishte i shoqëruar nga drejtori juridik i bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, i cili nuk është as avokati i tij. Siç duket çështjet për të cilat është pyetur Veliaj ditën e sotme, përveç hetimit pasuror ndaj tij, janë edhe për çështjet e bashkisë.

Ndërkohë mbrëmjen e së hënës, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, u mor në pyetje nga SPAK për rreth 3 orë në kuadër të një hetimi për pasurinë të nisur ndaj kryebashkiakut. Të martën Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Xoxës dhe kunatit të saj Arbër Veliaj mbi ankimin ndaj vendimit të GJKKO që lejoi kontrollin ndaj tyre.

Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.

Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa "veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal". Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë "5D", që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë. Veliaj reagoi në mbrëmje e 6 dhjetorit duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.

 

erion veliaj alban dokushi erion veliaj ne spak

Sondazh

Poll