Politike

Rama në darkën e fundvitit me trupin diplomatik: Shqipëria nuk njeh plan B, vetëm atë të anëtarësimit në BE

Kryeministri Rama u shpreh gjatë fjalës së tij se e kishte një ide se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

24 Dhjetor 2024, 18:36 Nga r.ll
Rama në darkën e fundvitit me trupin diplomatik: Shqipëria nuk
edi rama

KAVAJË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në darkën tradicionale të fundvitit me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri. Teksa tha se po i qasemi një viti të ri zgjedhor, u shpreh se e kishte një ide se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë gjithashtu deklaroi se shqiptarët do të vendosin që të qëndrojnë në krah të vlerave dhe parimeve euroatlantike.

Ai tha se Shqipëria nuk ka plan B, por ka vetëm planin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më tej u shpreh se brenda kësaj dekade do të punohet fort që kjo të bëhet realitet.

“Jemi mbledhur këtu sonte në këtë mbrëmje të përvitshme, për të ndarë bukën bashkë, ndërsa po i vjen fundi një viti të mbushur si me sfida dhe me mundësi, e një tjetër vit po afrohet shpejt. Gjithnjë, në këto raste, ndihem paksa i pezmatuar kur shoh mungesën e fytyrave të njohura, miq të mirë të këtij vendi, të cilëve iu është dashur të fluturojnë drejt destinacioneve të tjera. E di që të gjithë ata i merr malli për Shqipërinë dhe kohën aspak monotone që kanë kaluar këtu. U përcjell urimet e mia më të përzemërta dhe kërkoj që kur të keni mundësinë, nëse e keni mundësinë, t’ua thoni që kanë respektin dhe mirënjohjen tonë të përhershme. Ndërkohë, iu uroj një mirëseardhje të ngrohtë të rinjve në këtë tryezë. Jam i bindur se që tani ndihen si në shtëpi, s’është e nevojshme të inkurajohen më tej.

Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do te zene shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.

Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet. Sidoqoftë, është afërmendsh që duam të jemi miq, miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike, si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë.”, tha Rama.

edi rama

Sondazh

Poll