Aktualitet

U gjetën mbi 50 kg drogë në banesë, kapet i shpalluri në kërkim, në pranga edhe një 20-vjeçar

Policia bën të ditur se ka vënë në pranga një shtetas, që ishte shpallur në kërkim që prej tetorit 2023, për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”, në bashkëpunim.

15 Dhjetor 2024, 12:17 Nga E. D
U gjetën mbi 50 kg drogë në banesë, kapet i shpalluri
foto ilustruese

BERAT- Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Berat. Policia bën të ditur se ka vënë në pranga një 43-vjeçar që ishte shpallur në kërkim që prej tetorit 2023, për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”, në bashkëpunim. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një 20-vjeçar, që dyshohet se shpërndante lëndë narkotike.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Brothers” Kapet dhe vihet në pranga vëllai tjetër i shpallur në kërkim gjatë operacionit të zhvilluar në muajin Tetor 2023. Gjatë kontrolleve për kapjen e këtij shtetasi, Policia vuri në pranga dhe një shtetas tjetër, i cili dyshohet se shpërndante lëndë narkotike. Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e 1 shtetasi të shpallur në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e tij.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë kapën shtetasin e shpallur në kërkim A. (B). D., 43 vjeç, banues në fshatin Pobrat, Dimal, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”, në bashkëpunim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në muajin Tetor 2023, gjatë operacionit “Brothers”, ku në banesën e 2 vëllezërve (1 prej tyre u arrestua gjatë operacionit), u gjetën 50.8 kg lëndë narkotike cannabis dhe 240 rrënjë bimë narkotike cannabis.

Gjithashtu gjatë kontrolleve për kapjen e 43-vjeçarit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., 20 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde narkotike cannabis, 1 përforcues grushti dhe një peshore elektronike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme. 

policia e beratit

Sondazh

Poll