Aktualitet

GJKKO lë në burg Murat Gjunikun, i dyshuar për disa vepra penale dhe nën hetim si pjesë e një grupi kriminal

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur më datë 5 dhjetor 2024 kërkesën për verifikimin dhe zbatimin e masës së sigurimit personal ndaj Gjunikut, ndërsa sot, më 7 dhjetor, GJKKO mori vendimin për vazhdimin e masës duke e lënë në burg.

7 Dhjetor 2024, 15:37 Nga ZH.LL
GJKKO lë në burg Murat Gjunikun, i dyshuar për disa vepra penale
GJKKO

TIRANË- GJKKO ka vendosur në seancën e sotme vazhdimin e masës së sigurimit personal "Arrest me burg" ndaj Murat Gjunikut, i cili është nën hetim si pjesë e një grupi kriminal. 

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur më datë 5 dhjetor 2024 kërkesën për verifikimin dhe zbatimin e masës së sigurimit personal ndaj Gjunikut, ndërsa sot, më 7 dhjetor, GJKKO mori vendimin për vazhdimin e masës duke e lënë në burg.

Murat Gjuniku është i dyshuar për kryerjen e një sërë veprash penale, përshirë kalimin e paligjshëm të kufijve dhe falsifikimin e dokumenteve, të kryera në bashkëpunim. Ai dyshohet për pjesëmarrje në një grup kriminal dhe akuzohet për përfshirje në veprime të tjera të kryera nga një organizatë kriminale.

Në seancën e sotme, GJKKO vendosi që Gjuniku të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues. Ndërsa ka theksuar se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 05.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal, e caktuar me vendimin nr. 54, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim Murat Gjuniku”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 149, datë 07.12.2024, vendosi:

1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale e caktuar me vendimin Nr. 54, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim Murat Gjuniku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Falsifikimi i dokumentave” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal” të parashikuara nga nenet 298/2 – 28/4; 189/2 – 28/4; 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

2. Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Murat Gjuniku, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.

3. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit te gjykatës.

gjkko gjykata

Sondazh

Poll