Bota

"Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat tona"/ Lavrov paralajmëron: Një luftë Rusi-SHBA mund të marrë karakter bërthamor

Në një intervistë me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Lavrov theksoi gatishmërinë e Rusisë për të përshkallëzuar nëse është e nevojshme.

6 Dhjetor 2024, 18:02 Nga E. D
"Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për
Tucker Carlson, Sergej Lavrov

RUSI- Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka paralajmëruar se Moska është e përgatitur të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur interesat e saj, duke përfshirë armët e avancuara hipersonike. Gjithashtu Levrov shtoi se nëse do të ketë luftë me SHBA, ajo do të marrë karakter bërthamor. Në një intervistë me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Lavrov theksoi gatishmërinë e Rusisë për të përshkallëzuar nëse është e nevojshme.

Intervista 80-minutëshe mbulonte tema duke përfshirë marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në, vendimet e politikës së jashtme dhe implikimet e mandatit të dytë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në luftën në Ukrainë. Lavrov, i cili me mbi 20 vjet në detyrë është ministri i jashtëm më jetëgjatë në botë, kritikoi Uashingtonin për lejimin e Ukrainës të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Amerika në sulmet në territorin rus, duke e përshkruar këtë si një përshkallëzim të rrezikshëm.

Ai tha se besimi perëndimor se linjat e kuqe të Rusisë mund të lëvizen përsëri dhe përsëri është një gabim shumë serioz. Lidhur me negociatat e paqes, Lavrov riafirmoi kushtet e Rusisë, duke përfshirë tërheqjen e Ukrainës nga katër rajone të aneksuara nga Rusia në shtator 2022 dhe braktisjen e aspiratave të anëtarësimit në NATO.  Ai bëri thirrje gjithashtu për mbrojtjen e të drejtave të rusishtfolësve në Ukrainë. Vendosja e fundit e raketës së re balistike hipersonike të Rusisë me rreze të mesme veprimi, Oreshnik, u theksua nga Lavrov si një mesazh për Perëndimin në lidhje me vendosmërinë e Moskës.

"Mesazhi që ne donim të dërgonim duke testuar në veprim real këtë sistem hipersonik është se ne do të jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat tona legjitime," tha ai.

Lavrov shtoi se çdo përpjekje e SHBA dhe aleatëve të saj për të dorëzuar armë me rreze të gjatë në Kiev nuk do të mbetet pa përgjigje.

"Ne e urrejmë edhe të mendojmë për luftën me Shtetet e Bashkuara, e cila do të marrë karakter bërthamor," tha ai, duke shtuar se shkëmbimi i sulmeve bërthamore midis Rusisë dhe aleatëve të NATO-s në Evropë do të përshkallëzohej në mënyrë të pashmangshme në një konflikt më të gjerë që përfshin të gjitha palët.

 

sergej lavrov tucker carlson lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll