Politike

Kryeministri i Kosovës sot në Bruksel, pritet të zhvillojë takim me shefen e diplomacisë evropiane

Takimet e ndara të Kallas me Kurtin dhe Vuçiç u konfirmuan edhe nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.

3 Dhjetor 2024, 08:37 Nga r.ll
Kryeministri i Kosovës sot në Bruksel, pritet të zhvillojë
albin kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të zhvillojë sot takimin e parë me shefen e re të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, që kur ajo ka marrë detyrën. Takimi do zhvillohet në margjinat e darkës së punës të cilën presidenti i ri i Këshillit Evropian Antonio Kosta do të zhvillojë sot me liderët e Ballkanit Perëndimor. Ditën e nesërme rreth orës 09:30, Kosta do të takojë edhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Ndërkohë takimet e ndara të Kallas me Kurtin dhe Vuçiç u konfirmuan edhe nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper. Kjo e fundit në një konferencë për media ditën e djeshme iu është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Zubin Potok, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.

Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut. Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.

Kurti dhe Vuçiç në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

albin kurti bruksel kaja kallas

Sondazh

Poll