Politike

Shpërthimi në Zubin Potok/ "BE të heqë sanksionet ndaj Kosovës", Rama: Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë është një krim i rëndë

Ai shkruan më tej se ky sulm godet gjithashtu e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ndërsa thotë se ngjarja duhet zbardhur sa më parë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

30 Nëntor 2024, 10:22 Nga r.ll
Shpërthimi në Zubin Potok/ "BE të heqë sanksionet ndaj
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me shpërthimin e mbrëmjes së djeshme në veri të Kosovës, në komunën e Zubin Potok. Përmes një postimi në "X", Rama shprehet se akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ai shkruan më tej se ky sulm godet gjithashtu e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ndërsa thotë se ngjarja duhet zbardhur sa më parë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

Rama gjithashtu i bën thirrje Bashkimit Europian të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes saj dhe Serbisë. Kryeministri thotë se formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara, ndërsa shprehet se fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.

POSTIMI I RAMËS: 

Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.

Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Veri të Kosovës, konkretisht në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut  Shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.  Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Pas ngjarjes, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Serbinë si përgjegjëse për sulmin e ndodhur, duke shtuar se kanë synuar të dëmtojnë infrastrukturën mbase më të rëndësishme të vendit.

Sulmi është dënuar nga amabasadorët ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët kanë bërë thirrje për zbardhjen e plotë të ngjarjes.  Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë, duke e quajtur atë akt kundër interesave të popullit serb.  Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese. Përveç atij në Zubin Potok, një shpërthim tjetër u regjistrua edhe ndaj komunës së Zveçanit, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar.

edi rama shperthimi ne zubin potok

Sondazh

Poll