Aktualitet

Operacioni i SPAK/ Një biznesmen vihet në pranga në Milano, dyshohet se pastronte paratë e grupeve kriminale përmes kompanive të tij (EMRI)

Operacioni për goditjen e një grupi kriminal është kërkuar nga dy prokurorët e SPAK, Vladimir Mara dhe Altin Dumani.

25 Nëntor 2024, 16:37 Nga r.ll
Operacioni i SPAK/ Një biznesmen vihet në pranga në Milano,
spak

TIRANË- Janë zbardhur detaje të reja nga operacioni i Prokurorisë së Posaçme të zhvilluar në qytetin e Elbasanit dhe që vijon ende. Operacioni për goditjen e një grupi kriminal është kërkuar nga dy prokurorët e SPAK, Vladimir Mara dhe Altin Dumani. Lidhur me operacionin janë lëshuar 21 masa sigurie, nga të cilat 18 janë arrest me burg, një arrest shtëpie për avokaten e grupit të Suel Çelës dhe detyrim paraqitjeje për dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha.

Bëhet me dije se nuk janë ekzekutuar ende të gjithash masat e sigurisë "arrest në burg". Në mesin e të arrestuarve deri më tani është biznesmeni Marsel alias Bujar Shega, i cili është vënë në pranga në Milano. Sipas raportimeve, kompanitë e tij, kanë fituar tendera për pastrimin e disa qyteteve dhe Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë. Ai dyshohet se pastronte paratë e disa grupeve kriminale përmes kompanive të tij, ndër to dhe një grup të fuqishëm me bazë me Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme.

Operacioni i SPAK

Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një operacion në Elbasan pas zbërthimit të bisedave në SKY ECC. Aksioni në Elbasan është zhvilluar për kapjen e Suel Çelës dhe goditjen e grupit të tij kriminal. Në kuadër të operacionit janë lëshuar 18 udhërarreste në burg, një urdhërarrest në shtepi dhe dy masa sigurie. Deri më tani janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre.

Konkretisht masa “arrest në burg” është ekzekutuar për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu (gjatë ushtrimit të detyrës i shërbente krimit, ndodhet në arrest shtëpie për përfshirje në dosjen e grupit të Çopajve po në Elbasan), ish-kreun e gjyqtarëve në Elbasan Zihni Shahu, ish-shefin e krimeve në Tiranë, Dedan Gjonin (aktualisht në burg për dosjen “Metamorfoza 2”) dhe biznesmenin Marsel alias Bujar Shega (dyshohet se pastronte paratë e grupeve kriminale përmes kompanive të tij).

Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” është vendosur për dy gazetarët Artan Hoxha (akuzohet si pjesëmarrës në organizatë kriminale) dhe Elton Qyno (akuzohet për korrupsion pasiv në sektorin privat). Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar për Blerina Beqirin, avokatja e anëtarëve të grupit të Suel Çelës.

Në kuadër të operacionit që  po zhvillohet dhe në Tiranë janë kontrolluar një sërë banesash, kryesisht në qytetin e Elbasanit, ish-gjyqtarësh, përfshirë edhe ato të Zihni Shahut dhe Taulant Tafës, dhe 2 ish-prokurorëve. Të sipërpërmendurit dyshohet se kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij kriminal. Me urdhër të SPAK, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle të befasishme në ‘bazat’ e Suel Çelës. Operacioni u organizuar pas zbërthimit të bisedave në SkyECC, ku ka dyshime se emrat e gjyqtarëve përmenden në një bisedë për zbutjen e një mase sigurimi personal. Operacioni i SPAK për ekzekutimin e masave të sigurisë, i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.

marsel alias bujar shega operacion i spak

Sondazh

Poll