Sport

Reece James dhe dëmtimet: histori pafund

Kapiteni i Chelseat është dëmtuar sërish dhe do të mungojë në ndeshjen e radhës në Premier League kundër Leicester City

21 Nëntor 2024, 18:22 Nga DOSJA
Reece James dhe dëmtimet: histori pafund

ANGLI - Nëse ka ndonjë futbollist sot që nuk ka fat me dëmtimet, ai është Reece James. Kapiteni i Chelseat ka pësuar një tjetër pengesë në karrierën e tij profesionale me një dëmtim të ri të pulpës, i cili do ta mbajë atë jashtë ndeshjes së radhës në Premier League kundër Leicester City.

Mbrojtësi i djathtë i Bluve të Londrës ishte dëmtuar për të njëjtën arsye sezonin e kaluar, në fakt ai ishte jashtë fushës për 29 ndeshje, për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale. Këtë sezon ai ka munguar edhe që nga fillimi i kampionatit kombëtar deri në fund të tetorit. James u rikthye në skuadër kundër Liverpoolit si titullar pas një viti, megjithëse fati ishte në anën e tij për vetëm një muaj.

Mbrojtësi 24-vjeçar ka pësuar 20 dëmtime në më pak se 5 vjet në klubin anglez, duke humbur gjithsej 129 ndeshje zyrtare, që është e barabartë me 44% që kur ai mbërriti te Chelsea në vitin 2019. James ka luajtur vetëm 162 nga 291 ndeshje të mundshme. 

Trajneri i skuadrës, Enzo Maresca, ka paralajmëruar se ky dëmtim i ri nuk është afatgjatë dhe se shpreson ta ketë sërish në dispozicion lojtarin pas Conference League.

“Ne kemi vetëm një lojtar të dëmtuar dhe ai është Reece, i cili fatkeqësisht ndjeu diçka të vogël në stërvitjen e dy ditëve më parë dhe nuk duam të rrezikojmë gjatë fundjavës”, tha Maresca. "Është një problem muskulor. Ai do të jetë jashtë këtë fundjavë, por shpresoj se mund të kthehet së shpejti," komentoi trajneri.

Pas kësaj historie të gjatë dëmtimesh të pafundme, trajneri ka theksuar se është e vështirë të rikuperohet fizikisht dhe mendërisht kur ai rikthehet kaq herët, prandaj kërkon të hartojë një plan, së bashku me stafin teknik për të ulur ngarkesën e akumuluar fizike të lojtarit. 

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll