Aktualitet

Të dyshuarit kryesorë për shkak të armiqësive disavjeçare me fisin Lici, RENEA ushtron kontrolle në zonën e Bajrajve në Dobraç

Deri më tani nuk ka të shoqëruar, por vetëm dëshmitarë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

30 Tetor 2024, 20:24 Nga r.ll

Të dyshuarit kryesorë për shkak të armiqësive

SHKODËR- Ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e atentatit të sotëm në Dobraç të Shkodrës, përveç një"Land Rover"-i të djegur dhe dy automatikëve. 

Ndërkohë RENEA mësohet se po ushtron kontrolle të shumta në Dobraç në zonën e Bajrajve, të cilët janë dhe të dyshuarit kryesorë të atentatit. Kjo për shkak të konflikteve dhe armiqësve disavjeçare mes fisit Bajra dhe Lici. Deri më tani nuk ka të shoqëruar, por vetëm dëshmitarë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Viktimë nga atentati mbeti Hamza Lici dhe u plagos rëndë me plumb në kokë, Arlind Bushati. Sipas informacioneve nga grupi i hetimit, ndaj automjetit ku ishte viktima dhe i plagosuri është qëlluar të paktën 30 herë. Gjithashtu gjeti vdekjen edhe një kalimtare e rastit, Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha u plagos rëndë. Çifti i të moshuarve u përplasën nga makina e Hamza Licit, ndërsa po lëviznin me motomjetin e tyre. 

Si nisi përplasja Bajra-Lici?

Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili sipas policisë është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër. Po ashtu ai dyshohet si autor i Endri  Mustafës.

Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër. Ndërkohë viktima Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale.

Përplasjeve mes fiseve Bajri dhe Lici dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla.

Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke gjetur vdekjen në vend.

Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira u ekzekutuan çifti Boran Bërçana dhe Silva Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri dhe dyshohej si i përfshirë në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës. Vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër.

Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustafa Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-policit Bërcana.

Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici. Më pas vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë.

Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.

Më 20 mars ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë. Më pas saga e vrasjeve vijoi me vrasjen e Endri Mustafës dhe autor dyshohet se është sërish Ibrahim Lici.

vrasja ne shkoder

Sondazh

Poll