Aktualitet

Koncerti pianistik FQINJËT në Korçë

Në koncert u luajtën pjesë nga autorë të njohur evropianë si Franz Liszt, Johannes Brahms, Sergei Rachmaninoff, Ludovico Einaudi etj., por dhe nga autorë të rajonit si Tonin Harapi, Rauf Dhomi, Borjan Canev dhe Aleksandar Perunović.

26 Tetor 2024, 15:13 Nga I.A

Koncerti pianistik FQINJËT në Korçë

KORÇË- Në Galerinë e Artit “Guri Madhi” në Korçë u zhvillua koncerti pianistik FQINJËT, me pjesëmarrjen e artistëve të rinj nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Në koncert u luajtën pjesë nga autorë të njohur evropianë si Franz Liszt, Johannes Brahms, Sergei Rachmaninoff, Ludovico Einaudi etj., por dhe nga autorë të rajonit si Tonin Harapi, Rauf Dhomi, Borjan Canev dhe Aleksandar Perunović.

Koncerti u organizua nga ABC Tirana Club, me synimin për të forcuar urat e komunikimit dhe kooperimit, sidomos mes të rinjve. FQINJËT, sipas organizatorëve, nxit dhe promovon bashkëpunimin rajonal, si një premisë e sigurtë dhe e qëndrueshme për procesin e integrimit evropian, që përbën synim strategjik për vendet e rajonit tonë.

Shikuesit vlerësuan intepretimet e Iva Ivanoviç (Mali i Zi), Adea Halili (Kosovë), Marija Stojanova (Maqedoni e Veriut), Ami Muka dhe Maria Pandazi (Shqipëri). Udhëheqëse artistike ishte Vjollca Stamo.

Koncerti pianistik FQINJËT në Korçë

Koncerti është pjesë e projektit artistik rinor FQINJËT, Edicioni i gjashtë, që mbështetet nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, AMSHC.

Disa ditë më parë, në kuadër të këtij projekti, në qytetin e Korçës u hap ekspozita e arteve pamore “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve”. Aty paraqitën punimet e tyre 30 krijues të rinj, nxënës nga shkollat e Bashkisë Korçë, të cilët sollën përmes gjuhës artistike problematika të ndryshme në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve.

ABC Tirana Club po bashkëpunon për këtë projekt me partnerë lokalë, si RTSH “Korça”, Galeria e Artit “Guri Madhi” dhe Shkolla Artistike “Tefta Tashko Koço”.

fqinjËt

Sondazh

Poll