Sport

Ai jeton në një hotel luksoz, i pëlqen të hajë supë pule dhe udhëton me një shofer… Jeta e trajnerit Jose Mourinho në Stamboll

Trajneri portugez i Fenerbahçes është instaluar në hotelin Four Seasons në Stamboll

22 Tetor 2024, 14:00 Nga DOSJA

Ai jeton në një hotel luksoz, i pëlqen të hajë

TURQI - Fenerbahçe i ofroi José Mourinhos mundësinë për të jetuar në shtëpinë më të mirë në Stamboll, por trajneri nuk pranoi, pasi preferon të jetojë në një hotel.

“Daily Mail” raporton se trajneri portugez jeton në Hotelin Four Seasons, një hotel luksoz me pesë yje, i krijuar nga një rezidencë e shekullit të 19-të në pjesën evropiane të qytetit.

Dhoma më e lirë kushton rreth 1.200 euro për natë, por shpenzimi sigurisht nuk duhet të jetë një dhimbje koke për Mourinhon, i cili fiton 10 milionë euro në sezon te ‘Feneri’.

“Daily Mail” e gjeti trajnerin portugez në hotel, pak ditë pas dasmës së vajzës së tij Matilde, të veshur me tuta Adidas, marka e tij e zgjedhur prej disa dekadash.

Në mëngjes, Mourinho zakonisht noton në një nga pishinat e hotelit, përpara se shoferi ta çojë në qendrën stërvitore të Fenerbahçes.

Ndonjëherë ai del jashtë hotelit dhe ha në një restorant aty pranë, por punonjësit thonë për 'Daily Mail' se tekniku zakonisht ha në hotel dhe se pothuajse çdo natë ai porosit supë pule, një pica margherita, akullore dhe ujë me gaz.

Kjo nuk është hera e parë që Mourinho jeton në një hotel. Kur ai drejtonte Manchester United, trajneri portugez qëndroi në hotelin luksoz The Lowry gjatë 935 ditëve që ishte në Old Trafford.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll