Politike

Hapja e negociatave me BE/ Basha: Lajm i mirë pasi shërben si mjet monitorimi për qeverinë më të korruptuar në Europë

Sipas tij, se ky është një lajm i mirë që prej vitit 2012, kur u sugjerua hapja e negociatave, u deshën 12 vjet për ta zhbllokuar këtë proces.

15 Tetor 2024, 14:09 Nga I.A
Hapja e negociatave me BE/ Basha: Lajm i mirë pasi shërben si mjet
Lulzim Basha

TIRANË- Deputeti Lulzim Basha, ka reaguar për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Sipas tij, se ky është një lajm i mirë që prej vitit 2012, kur u sugjerua hapja e negociatave, u deshën 12 vjet për ta zhbllokuar këtë proces. Sipas tij, të falenderosh për këtë hap Ramën të cilit i referohet si Putin, është tallje për Europën dhe shqiptarët.

Basha më tej thotë se Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara të Europës, ku si asnjë kryeministër tjetër në Europë Edi Rama veshi kriminelët me pushtet, ministra e zëvendës kryeministri i tij janë dënuar dhe nën hetim për korrupsion, lidhje me krimin e pastrim parash.

Postimi i plotë:

Hapja e negociatave pa asnjë diskutim është një lajm i mirë për Shqipërinë. Por, të falenderosh Putinin për këtë hap është tallje për Europën dhe shqiptarët. Negociatat u vonuan fillimisht për shkak të destruktivitetit të Edi Ramës në opozitë, e më pas se ai bëri gjithçka për të mbrojtur bashkëpunëtorët e korruptuar dhe inkriminuar.

Në një kohë kur Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara të Europës, ku si asnjë kryeministër tjetër në Europë Edi Rama veshi kriminelët me pushtet, ministra e zëvendës kryeministri i tij janë dënuar dhe nën hetim për korrupsion, lidhje me krimin e pastrim parash, negociatat do të shërbejnë edhe si mjet shtesë monitorimi për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe si garanci për t’i ndalur planet e qeverisë Rama për të penguar punën e SPAK, për të çuar para drejtësisë zyrtarët e përfshirë në krim dhe korrupsion.

Që prej 2012-ës, kur u sugjerua hapja e negociatave, u deshën 12 vjet për ta zhbllokuar këtë proces. Tashmë do të jetë në dorë të shqiptarëve nëse do të presin edhe dhjetra vite deri në përmbylljen e këtij procesi, me një kryeministër që hallin e vetëm ka pushtetin e tij, apo do të zgjedhin të ecin më shpejt, duke zgjedhur një qeveri që do të mendojë dhe punojë për ta. Shqipëria meriton më shumë.

lulzim basha

Sondazh

Poll