Sport

Historia e Shoturmës, kapitenit ukrainas që u përdor si mburojë njerëzore në luftë...

Lojtarit ukrainas iu desh të largohej nga 'shtëpia' me familjen e tij pas pushtimit rus

28 Shtator 2024, 09:30 Nga DOSJA

Historia e Shoturmës, kapitenit ukrainas që u përdor si

UKRAINE - Ekipi ukrainas i futsallit nuk ka pasur një rrugë të lehtë për të arritur në Uzbekistan. Ata që drejtohen nga Oleksandr Kosenko, i cili prej më shumë se dhjetë vitesh drejton pankinën e Ukrainës, kanë vuajtur shumë deri në këtë Botëror.

Pas pushtimit rus, jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë. Shumica i braktisën shtëpitë e tyre, duke lënë familjen dhe miqtë në front. Kapiteni, Petro Shoturma, tregon për Marca-n ngurtësinë e atij momenti. "Kur u largova nga Kherson ishte momenti më i vështirë i jetës sime. Pashë nga dritarja dhe pashë tanket që hynin në qytetin tim,"- thotë Shoturma.

Katër ditë për t'u larguar nga vendi

"Na u deshën katër ditë për t'u larguar nga vendi, unë e bëra këtë me dy vajzat e mia të vogla. Rusët na përdorën si mburoja njerëzore, në mënyrë që trupat ukrainase të ndalonin sulmet e tyre, ata u strehuan pas makinave tona për të vazhduar përparimin,"- thotë Petro.

Por ashpërsia e pushtimit rus nuk ndalet me kaq. Pasi kaluan disa pika kontrolli dhe një fushë të minuar, ushtarakët ndaluan Shoturmën dhe familjen e tij në një pikë kontrolli. “Na ndaluan dhe na detyruan të zhvisheshim lakuriq, na morën gjithçka që kishim”, shpjegon kapiteni.

Masat maksimale të sigurisë

Kombëtarja e Ukrainës nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje në vendin e saj që nga shkurti i vitit 2022. Për më tepër, sa herë që udhëtojnë në një vend tjetër për të luajtur ndeshjet e tyre, atyre u duhen rreth 24-36 orë për t'u larguar nga Ukraina. Masat e sigurisë janë maksimale, për shkak të një lufte të së cilës janë viktima.

Për shumicën e anëtarëve të ekspeditës është Kupa e tyre e parë Botërore, por është gjithashtu mundësia perfekte për t'i sjellë gëzim një kombi që po kalon një nga momentet më të vështira në historinë e tij.

“Do të japim të gjitha forcat për të qëndruar deri në fund të Kupës së Botës, në mënyrë që njerëzit të na kushtojnë vëmendje dhe të na ndihmojnë në çfarëdo mënyre që munden”,- thotë Shoturma.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll