Bota

SHBA njofton ndihmë 8 miliardë dollarëshe për Ukrainën/ Biden: Do t’i japim Kievit mbështetjen që i duhet për ta fituar luftën

Paketa përfshin për herë të parë një sistem, që është një bombë precize rrëshqitëse me rreze prej 130 kilometrash, e që lëshohet nga një avion luftarak. Po ashtu, në paketë përfshihen bateri shtesë të sistemeve Patriot dhe raketa AMRAAM.

26 Shtator 2024, 18:03 Nga E. D
SHBA njofton ndihmë 8 miliardë dollarëshe për Ukrainën/
Volodymyr Zelenskyy dhe Joe Biden

UKRAINË- Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi më 26 shtator për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën në vlerë prej mbi 8 miliardë dollarë, para takimit që do të zhvillojë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Washington.

“Përmes këtyre veprimeve, mesazhi im është i qartë: SHBA-ja do t’i japë Ukrainës mbështetjen që i duhet për ta fituar këtë luftë”, tha Biden përmes një deklarate.

Paketa përfshin për herë të parë një sistem, që është një bombë precize rrëshqitëse me rreze prej 130 kilometrash, e që lëshohet nga një avion luftarak. Po ashtu, në paketë përfshihen bateri shtesë të sistemeve Patriot dhe raketa AMRAAM. Biden, që përfundon mandatin në janar, tha se trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16 do të zgjerohet, përfshirë trajnimi i 18 pilotëve shtesë vitin e ardhshëm.

Ai tha se Uashingtoni dhe partnerët e tij po ndërmarrin hapa për të penguar rrjetin e kriptovalutave që po përdoret nga Rusia për të shmangur sanksionet dhe për të shpërlarë para, por nuk elaboroi më shumë. Biden po ashtu njoftoi se muajin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që përbëhet nga më shumë se 50 shtete. Ai tha se mbledhja do të përqendrohet për të koordinuar më mirë përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Zelenskyy përmes një postimi në X e falënderoi Bidenin për paketën e re të ndihmës. Zelenskyy pritet që ta shpalosë “planin e paqes” gjatë takimit që do të zhvillojë më vonë gjatë 26 shtatorit me Bidenin dhe nënpresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë. Biden dhe Zelensky kanë zhvilluar një bisedë të shkurtër në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York më 25 shtator.

SHBA-ja, mbështetësja kryesore e Ukrainës, dhe aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kievit ndihma ushtarake në vlerë prej miliarda dollarësh dhe kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve kundër Moskës, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022.

volodymyr zelenskyy joe biden

Sondazh

Poll