Bota

Kurti: Serbia po e shkel marrëveshjen, Borrelli e Lajçaku s’po e luajnë rolin e arbitrit

Po ashtu Kurti ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se e shkel në vazhdimësi marrëveshjen dhe se po e strehon kryeterroristin Milan Radoiçiç, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e vitit të shkuar. 

25 Shtator 2024, 16:00 Nga E. D
Kurti: Serbia po e shkel marrëveshjen, Borrelli e Lajçaku s’po
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecjet në dialogun për normalizim raportesh, teksa ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiç. Gjithashtu ai ka fajësuar edhe ndërmjetësit për mosushtrim të rolit të tyre.

Kurti në një intervistë për “politico.eu”, ka thënë se qasja e Serbisë nuk është për normalizim raportesh me Kosovën. Kryeministri i Kosovës këto deklarata i ka dhënë një ditë pasi mori pjesë në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka shtuar Kurti.

Kurti ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiç. Edhe pse ishin në të njëjtin takim javën e shkuar, dy liderët s’kanë biseduar direkt. 

“Kur ai flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Vuçiç. 

Po ashtu Kurti ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se e shkel në vazhdimësi marrëveshjen dhe se po e strehon kryeterroristin Milan Radoiçiç, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e vitit të shkuar. Në një moment Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

“Radoiçiç është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia. Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, ka thënë Kurti.

albin kurti

Sondazh

Poll