Politike

Dëshmia në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë/ Vizitat në Itali dhe delegacionet, ish-ministri Rrjepaj: Ja roli i Ilir Rrapajt dhe ortakut Umbro Staccini 

Ndërsa për Umbro Staccinin tha se nuk mbante mend që të ketë qenë pjesë e të gjitha delegacioneve.

20 Shtator 2024, 11:38 Nga M.B
Dëshmia në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë/
Klodian Rrjepaj

TIRANA- Ish-zvministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj po dëshmon në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë për koncesionin e sterilizimit. Kryetarja e Komisinit, Albana Vokshi iu drejtua Rrjepajt me pyetjen nëse në të gjitha vizitat në Itali e Shqipëri ka qenë dhe Ilir Rrapaj e Umbro Staccini. Rrjepaj tha se Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do të mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me këtë rajon. Ndërsa për Umbro Staccinin tha se nuk mbante mend që të ketë qenë pjesë e të gjitha delegacioneve.

Diskutimet në Komision:

Klodian Rrjepaj: Ka qenë një vizitë në dhjetor 2013 për të nisur një bashkëpunim me Universitetin të Peruxhias. Unë kam qenë pjesë e delegacionit në Umbria. Ka qenë edhe ministri dhe këshilltari për mediat, mesa mbaj mend. Ne na ka pritur profesor Masimiliano Brili dhe doktoresha Vanesa Rosi. Ka pasur një takim me presidenten e rajonit të Umbrias. Kemi bërë edhe një vizitë studimore në spitalin San Xhovani në Romë.

Albana Vokshi: Në të gjithë vizitat qoftë në Itali e Shqipëri ka qenë dhe Ilir Rrapaj e Umbro Staccini?

Klodian Rrjepaj: Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do të mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me këtë rajon. Në parantezë dua të them është gjë paralele me procedurën e koncesionit. Nuk është e njëjta gjë, sepse teksti i marrëveshjes nuk përmbante asnjë gjë nga kjo procedurë. Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë por dhe ministri të tjera. Unë kam qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar draftin e marrëveshjes.

Albana Vokshi: Umbro Staccini?

Klodian Rrjepaj: Nuk mbaj mend që të ketë qenë pjesë e të gjitha delegacioneve. Studimi i universitetit të Peruxhias nuk është koordinuar nga Ilir Rrapaj as Staccini por ka qenë nga professor Xhani Bidini dhe një grup tjetër shkencëstarësh. Rrapaj e Staccini nuk kanë pasur fare tagër. Unë i jam referuar raportit të universitetit dhe jam bërë pjesë e studimit të fizibilitetit për standardet europiane të këtij shërbimi dhe inxhinierimin e proceseve.

klodian rrjepaj

Sondazh

Poll