Bota

Borrell: Qëllimi i sulmeve në Liban ishte përhapja e terrorit!

Së paku 37 njerëz u vranë dhe më shumë se 3.000 të tjerë u plagosën kur shpërthyen së pari pejxherët dhe pastaj radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e Hezbollahut në dy valë sulmesh të martën dhe të mërkurën.

19 Shtator 2024, 17:54 Nga N.F
Borrell: Qëllimi i sulmeve në Liban ishte përhapja e terrorit!
Borrell

LIBAN- Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, i ka dënuar sulmet që i kishin në shënjestër pajisjet e telekomunikimit të përdorura nga Hezbollahu këtë javë, duke thënë se kushdo që i kreu ato kishte për qëllim të “përhapte terror në Liban”.

“Kjo metodë e përdorur është e papranueshme, për shkak të dëmeve të mëdha dhe të pashmangshme kolaterale në mesin e civilëve, si dhe për shkak të pasojave të gjëra për tërë popullsinë, përfshirë frikën dhe terrorin dhe kolapsin e spitaleve”, tha Borrell.

Së paku 37 njerëz u vranë dhe më shumë se 3.000 të tjerë u plagosën kur shpërthyen së pari pejxherët dhe pastaj radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e Hezbollahut në dy valë sulmesh të martën dhe të mërkurën.

Libani dhe Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – e akuzojnë Izraelin për kryerjen e këtyre sulmeve.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Hezbollahu, një grup i armatosur rëndë dhe i mbështetur nga Irani, ka gati një vit që shkëmben zjarr me Izraelin përgjatë kufirit Liban-Izrael./ REL

borrell liban

Sondazh

Poll